Zelenski paralajmëron elitat ukrainase që largohen, të kthehen në vend brenda 24-orësh (fotot)

15/02/2022 16:34

Presidenti i Ukrainës ka thënë sot se deputetët dhe biznesmenët që janë larguar nga vendi prej panikut të ditëve të fundit duhet të kthehen mënjeherë në vend.

Duke folur në konferencën e shtypit me kancelarin gjerman Olaf Scholz, Zelenski nxiti të gjithë figurat elitare të larguara të kthehen sa më shpejt.

E përditshmja vendase Ukrainskaya Pravda tha se mesazhi i tij i drejtohej 23 deputetëve vendas që raportohet se janë jashtë vendit, përfshi dhe 13 individë nga partia opozitare pro-ruse “Platforma për jetën” si dhe nga vetë partia e Zelensky në pushtet “Shërbëtori i Popullit”.

Largimi i zyrtarëve ukrainas nga vendi vjen pas paralajmërimit të presidentit amerikan Joe Biden se “një inkursion nga Kremlini mund të ndodhë në çdo moment”.

“Ndërsa unë ju kërkoj që brenda 24 orëve ata të kthehen në shtet, përndryshe autoritetet do të nxjerrin konkluzione serioze nëse ata nuk i vënë mend kërkesës” tha Zelensky.

Teksa siguronte se shteti nuk mund të influnecojë ndaj tregtisë, Zelensky nxiste biznesmenët të ktheheshin në sipërmarrjet e tyre dhe te “dhjetra mijëra njerëzit që punojnë për ta dhe për shtetin”.

Por megjithë pretendimet, disa biznesmenë mohonin se ishin larguar nga vendi.

Vadim Novinsky, Boris Kolesnikov e Aleksander Yaroslavsky – reaguan ndaj shkrimit në gazetën ‘Ukrayinskaya Pravda’ duke thënë se nuk ishin larguar nga vendi për periudhë të gjatë.

“Më 10 shkurt kam shkuar në Munich, dhe kthehem sot pasdite. Ishte një udhëtim i planifikuar,” insistonte Novinsky, duke shtuar se do të marrë pjesë në seancën e parlamentit të martën. “Askush nuk po ia mbath.”

Në fjalimin e tij Zelensky kritikonte vendimin e Shtëpisë së Bardhë për të vendosur diplomatët amerikanë në Lviv, qyteti më i madh në perëndim të Ukrainës.

“Është gabim që disa ambasada po zhvendosen në perëndim, Ukraina është një, integrale, nëse ndodh diçka ndodh kudo”.

Top Channel