Deklarata e Zelensky për sulmin shkakton panik, presidenti tërhiqet: “Ishte ironi”!

15/02/2022 12:10

Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky e shpalli 16 shkurtin- ditën që SHBA pretendon se Rusia mund të sulmojë Ukrainën- si ditë të unitetit kombëtar.

Në një dekret të firmosur të hënën, ai urdhëroi që të buçasin tingujt e himnit kombëtar, ndërsa flamujt e Ukrainës të shpalosen anekënd vendit.

Është thënë se 16 shkurti do të jetë dita e sulmit. Ne do ta bëjmë atë një ditë uniteti. Do ta kthejmë në ditën kur flamuri ynë, ngjyrat tona verdh e blu, t`i tregojnë të gjithë botës se jemi të bashkuar”, u shpreh kreu i shtetit ukrainas.

Por komentet e tij mbi “datën e pushtimit” shkaktuan tronditje në tregjet financiare dhe u bënë shkas që investitorët të nxitonin për të blerë flori dhe naftë bruto.

Paskësaj, zyra e presidentit ukrainas reagoi edhe një herë me justifikimin se komentet e tij ishin bërë me tone “ironike”.

Në fjalën e tij, Zelensky u zotua se si Krimea, ashtu edhe rajoni i Donbasit do të kthehen nën kontrollin e Ukrainës, por eksluzivisht përmes diplomacisë dhe negociatave, ndërsa njoftoi gjithashtu se duke filluar nga muaji mars, pjesëtarët e ushtrisë ukrainase do të kenë një rritje të pagës me 30%.

Top Channel