Manchester United i dha fund serisë prej dy barazimeve radhazi në kampionat. Ekipi i Ralf Rangnick fitoi 2-0 në “Old Trafford” përballë Brighton, duke u ngjitur përkohësisht në vend të katërt me 43 pikë, dy më shumë se West Ham.
Feston Cristiano Ronaldo, i cili gjeti golin e parë me United për vitin 2022. Ylli portugez finalizoi një aksion të bukur në minutën e 51-të, duke i dhuruar ekipit avantazhin dhe duke u ngjitur në shifrën e 9 golave sezonalë në Premier League.
Fitore e vuajtur për vendasit, edhe pse Brighton luajti me dhjetë lojtarë prej minutës së 54-t. Leëis Dunk u ndëshkua me karton të verdhë, por arbitri ndryshoi mendim pasi pa pamjet në VAR dhe largoi mbrojtësin me të kuq.
Gjithsesi, ekipi mik rrezikoi deri në fund të gjente golin e barazimit, duke goditur edhe traversën në minutën e 78-të me anë të Jakub Moder. Takimi nisi i zjarrtë, De Gea frenoi Moder në minutën e pestë, ndërsa një minutë më vonë Jadon Sancho gaboi përballë portierit kundërshtar pas një topi të marrë nga CR7.
De Gea kreu një pritje fantastike në minutën e 39-të pas gjuajtjes me kokë të polakut Moder, me Brighton që dominoi United në çdo aspekt në fraksionin e parë të takimit.
Top Channel