Një perlë e Kylian Mbappe në sekondat e fundit të shtesës, “hodhi në tapet” Realin e Madridit, që ia doli të mbahej mirë deri në fund, por pësoi një gol, të cilin do të provojë ta zhvlerësojë në sfidën e kthimit.
Në “Parc des Princes” loja u zhvillua vetëm në një drejtim, me Paris Saint Germain që dominoi totalisht, por fati dhe Thibaut Courtois shpëtoi Realin e Madridit nga një humbje me goleadë.
Portieri belg i madrilenëve i mohoi golin edhe Lionel Messit, duke i pritur një penallti, por në sekondat e fundit nuk mundi të bëjë asgjë përballë Mbappe, që ia kaloi topin poshtë këmbëve, për ta dërguar në rrjetë. Ylli francez, që me shumë mundësi do të transferohet te Reali në verë dhe është shndërruar në mollë sherri mes dy klubeve, mori një top në krah, depërtoi mes dy mbrojtësve dhe më pas dërgoi topin në rrjetë, duke bërë që në Paris të shpërthejë festa.
Në sfidën tjetër të fazës së 1/8-ave të Champions League, Manchester City vulosi kualifikimin, pasi triumfoi me rezultatin e thellë 0-5 në transfertën portugeze ndak Sportingut të Lisbonës dhe ndeshja e kthimit pritet të jetë një seancë stërvitore.
Mahrez, Foden dhe dy herë Bernardo Silva shënuan për “citizens”, që vendosën rekord, duke mbyllur pjesën e parë me avantazhin e 4 golave, ndërsa rezultatin e vulosi Raheem Sterling në pjesën e dytë.
Top Channel