Britania: Rusia të tërheqë trupat nga kufiri për të treguar se nuk do të sulmojë Ukrainën

15/02/2022 13:53

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss deklaroi se Rusia duhet të tërheqë të gjitha trupat e saj nga kufiri ukrainas për të treguar se nuk ka plane për të pushtuar Ukrainën.

Në deklaratat e saj për mediat e vendit në lidhje me çështjen e Ukrainës, Truss e përshkroi situatën e fundit në kufirin Rusi-Ukrainë si “një moment shumë të rrezikshëm për botën”.

Lidhur me deklaratën e Rusisë se disa nga njësitë e saj ushtarake, të cilat kanë përfunduar misionet e tyre në kuadër të stërvitjeve, kanë filluar të kthehen në bazat e tyre, Truss tha se duhet të shihen më shumë detaje për të kuptuar nëse kjo ka efekte të rëndësishme.

“Rusët pretenduan se nuk kishin plane për një sulm, por ne do të duhet të shohim tërheqjen totale të trupave të tyre për të treguar se kjo është e vërtetë”, tha Truss.

Ajo tha se “është shumë e rëndësishme të mos bëhet kompromis për sovranitetin e Ukrainës, për vendimin e Ukrainës nëse do të bëhet pjesë e NATO-s apo jo”.

Ambasadorja britanike në Kiev, Melinda Simmons, në postimin e saj në llogarinë e ambasadës në Twitter, përsëriti paralajmërimin e saj për qytetarët britanikë në Ukrainë që të largohen nga vendi.

Top Channel