Biden uron kosovarët: Vend të veçantë në zemrën time, mbështes përpjekjet për marrëveshjen finale me Serbinë

15/02/2022 19:05

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka uruar Kosovës për Ditën e Pavarësisë, duke thënë se vazhdon të mbështesë një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë të përqendruar në njohje reciproke.

Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Biden.

Në letrën e presidentit amerikan, që e publikoi presidentja Osmani, përmenden edhe të arriturat e vendit duke thënë se Kosova është shndërruar nga një demokraci e brishtë në një shtet të konsoliduar.

E përshëndes përkushtimin tuaj për punën e vazhdueshme dhe jetike për forcimin e institucioneve të Kosovës dhe për t’u siguruar që demokracia e Kosovës sjellë rezultate për të gjithë qytetarët e vendit tuaj. Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner i palëkundur i Kosovës përderisa ju përpiqeni ta luftoni korrupsionin dhe ta forconi sundimin e ligjit, të mbroni të drejtat e pakicave fetare dhe etnike, të nxisni një rritje ekonomike të drejtë dhe transparente dhe të siguroni një të ardhme të qëndrueshme energjetike”, vijoi Biden.

Presidenti Biden shkroi se vitin e kaluar, Kosova vazhdimisht demonstroi lidership në skenën ndërkombëtare. Ai përmendi edhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara për të përballuar pandeminë Covid.

Nga ofrimi i strehimit të sigurt për të pambrojturit deri te forcimi i sigurisë globale dhe bashkëvendosja përkrah ushtrisë amerikane në Kuvajt, populli i Kosovës i ka dëshmuar botës trimërinë dhe bujarinë e tij. Ndërsa përballemi së bashku me pandeminë Covid 19, jam i kënaqur që Shtetet e Bashkuara patën mundësi të ofrojnë këtë muaj edhe gjysmë milioni doza të sigurta e efektive të vaksinës Covid 19 për të mbrojtur dhe ndihmuar Kosovën në ringritje nga pandemia”, tha Biden.

Biden nuk la pa përmendur edhe faktin se Kosova zë një vend të veçantë në zemrën e tij.

Siç e dini, Kosova zë një vend të veçantë në zemrat e familjes Biden. Ju falënderoj përsëri për nderimin e madh që i bëtë djalit tim Beau kur i dhatë atij post-mortem medaljen presidenciale për sundimin e ligjit vitin e kaluar”, shkroi Biden.

Në fund, Biden tha se “mezi pres të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të thelluar partneritetin në mes vendeve tona dhe për ta jetësuar të ardhmen e Kosovës si një demokraci dinamike, sovrane, e multietnike, duke zënë vendin e merituar në institucionet evropiane dhe euroatlantike”.

Ju uroj juve dhe gjithë popullit të Kosovës një festë të shëndetshme dhe të gëzueshme ndërsa ju festoni pavarësinë tuaj”, përfundon urimi i Biden.

Top Channel