Alec Baldwin paditet nga familja e gruas që vrau me armë në sheshxhirim (fotot)

15/02/2022 21:33
Sheshxhirimi ku u vra Halyna Hutchins

Avokatët e familjes së kinematografes që u vra nga shkrepja aksidentale e një arme në sheshxhirimin e filmit “Rust” (Ndryshk) thonë se arma nuk ishte e nevojshme në skenë dhe se vdekja e të dashurës së tyre erdhi nga mungesa e organizimit dhe pakujdesia.

Ata kanë paditur aktorin Alec Baldwin dhe producentët e filmit për vdekjen.

Halyna Hutchins u vra në tetor kur arma që Baldwin mbante në drejtim të saj, shkrepi në dorën e tij. Regjizori Joel Souza u plagos në incident.

Prokurori Brian Panish tha se “sjellja e papërgjegjshme dhe reduktimet e kostove kishin çuar në vdekjen tragjike të Halyna Hutchins.”

Grupi ligjor i familjes tha se Baldwin kishte zgjedhur të mos trajnohej për armën me të cilën po aktronte kur qëlloi Hutchins.

Baldwin thotë se kishte drejtuar armën nga Hutchins pasi ashtu ishte udhëzuar, dhe thotë se nuk e ka tërhequr këmbëzën.

Por avokatët e familjes thonë se arma nuk ishte e nevojshme në atë skenë të veçantë të filmit, ku shumë mirë mund të ishte përdorur një imitim prej gome ose prej druri.

Përgjegjësja e armëve të filmit, Hannah Gutierrez Reed,  ashtu si dhe aktori Baldwin kanë thënë se “nuk e kanë idenë përse kishte plumba në armën e filmit”.

Ndërsa më herët Gutierrez Reed ka paditur furnizuesit me pajisjet e armëve që kishin sjellë plumba të vërtetë në vend të atyre të rremë që kishin porositur.

Hetuesit kanë thënë se në sheshxhirim përdorimi i armëve kishte qenë i pakujdesshëm në përgjithësi.

FOTO GALERI
1/5
Foto e fundit e Halyna Hutchins gjate xhirimeve te filmit

Top Channel