Tërhiqet Ukraina: Mund të heqë dorë nga kërkesa për bashkim me NATO-n

14/02/2022 16:49

Mes presionit të një lufte të cilën zor se mund ta fitojë i vetëm, Kievi tani po i mëshon fort motorëve të diplomacisë me shpresën që të arrijë ta shmangë përplasjen frontale me Rusinë. Për këtë qëllim, Ukraina kërkoi një takim me Moskën dhe anëtarë të tjerë të një organizmi kyc të sigurisë europiane, OSBE, lidhur me përshkallëzimin e tensioneve në kufirin e saj.

Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba tha se Rusia i ka injoruar kërkesat zyrtarë për t`i dhënë një shpjegim grumbullimit të dhjetëra mijëra trupave të saj.

Kievi pretendon që takimi të zhvillohet brenda 48 orëve të ardhshme për transparencë në lidhje me planet e Rusisë. Disa e panë këtë si një përpjekje për të fituar kohë, në mesin e informacioneve të shërbimeve sekrete amerikane, sipas të cilave, sulmi mund të ndodhë brenda këtyre ditëve, ndoshta të mërkurën.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, ndonëse i ofruan Ukrainës armatime nga më të ndryshmet, pajisje e këshilla ushtarake, dhe ekspertë trajnimi, kur erdhi fjala tek lufta me Moskën, e bënë të qartë se nuk do të dërgojnë trupa në tokën ukrainase. Edhe pse konsiderohet aleat i vyer, ajo nuk është vend anëtar i NATO-s.

E duket se përballë presionit të jashtëzakonshëm rus, Kievi ka nisur të lëkundet. Ambasadori i Ukrainës në Londër, Vadym Prystaiko la të kuptohet se vendi i tij mund të heqë dorë nga pretendimi për anëtarësim në NATO.

I pyetur nga gazetari i BBC, Stephen Nolan tek Radio 5, nëse vendi i tij mund të pranonte të mos i bashkohej aleancës, me qëllimin të shmangte luftën, Prystaiko u përgjigj: “Po mundet, pasi u kërcënuan në këtë lloj mënyrë, u shantazhuam dhe po shtyhemi drejt këtij vendimi”.

Top Channel