Tërheqja e Ukrainës nga kërkesa për NATO-n, ambasadori shpjegon deklaratën

14/02/2022 17:22

Nuk kaluan veçse pak orë dhe ambasadori i Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar u tërhoq nga deklarata që dha për BBC-në, se përballë presionit të një pushtimi rus, vendi i tij mund të hiqte dorë nga kërkesa për anëtarësim në NATO.

Vadym Prystaiko këmbënguli se raporti i mëparshëm i gjigantit mediatik anglez, ishte rezultat i një keqkuptimi.

Ne nuk jemi aktualisht anëtarë të NATO-s, dhe për të shmangur luftën jemi të gatshëm për shumë lëshime, e kjo është ajo që po bëjmë në bisedat me rusët”, u shpreh ambasadori.

“Kjo nuk ka të bëjë me aleancën, është dicka e  përcaktuar në Kushtetutë. Nuk është një vonesë për ambiciet tona për të qenë në NATO – ajo për të cilën po flasim është se ne nuk jemi në atë familje tani, kështu që duhet të kërkojmë diçka tjetër si marrëveshjet dypalëshe me Britaninë e Madhe, me Shtetet e Bashkuara”, u përpoq të sqaronte ai, duke shtuar: “Pra, para NATO-s ne po kërkojmë disa marrëveshje të tjera që do të na lejojnë të mbijetojmë në këtë provë të veçantë tani”.

I pyetur sërish nëse Ukraina po e ndryshonte qasjen e saj për t’u bërë anëtare e NATO-s, këtë hera tha: “Jo”.

Më parë, Prystaiko ishte shprehur për Radio 5 të BBC-së se vendi, për shkak të kërcënimeve dhe shantazheve, do të konsideronte “koncesione serioze” duke përfshirë këtu dhe heqjen dorë nga objektivi për t`u bërë pjesë e aleancës veri-atlantikut, që është dhe arsyeja kryesore e zemërimit të Rusisë dhe situatës në të cilën gjendet vendit sot.

Top Channel