Ramadani: S’na mërzit kjo humbje, Imerin do e falja nëse do ishte 18 vjeç…

14/02/2022 23:59

Egnatia pësoi nga një gol për pjesë dhe doli pa pikë nga transferta e vështirë kundër ekipit kryesues. Ekipi nga Rrogozhina luftoi në pjesën e parë, por dalja me të kuq e Demir Imerit vështirësoi gjithçka.

Trajneri i Egnatias, Zekirija Ramadani analizoi sfidën e sotme duke mos e bërë dramë disfatën e sotme.

“E dinim se do e kishim shumë të vështirë të dilnim të pamposhtur ndaj Tiranës, por kishim një disiplinë taktike. Te goli pati merita edhe Xhixha, i cili është një super futbollist. Kartonin e kuq të Imerit, do ia falja vetëm nëse do të ishte 18 vjeç. Duhet ta marrim shumë seriozisht këtë rast, nuk mendoj se do të shkojë pa u ndëshkuar.

Rivalët nuk arritën të marrin tre pikë. Ne futemi në çdo ndeshje të bëjmë maksimumin. Jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve, por është tepër e vështirë të luash me 10 lojtarë kundër Tiranës. Të mos harrojmë që vijmë pas 120 minutave dhe eliminimit në Kupë.

Përveç mungesave të Eller dhe Telushi , sot mungoi edhe Iseni. Kishim edhe Allmuçën e Krivanjevën me rrezik kartonësh. Humbja ndaj Tiranës nuk na mërzit, duhet të jemi optimistë, pasi na presin dy finale në dy javët e ardhshme”, deklaroi trajneri i Egnatias.

Top Channel