“Mos ia vini veshin Saliut”/ Balla flet për 2 reformat që do diskutohen me opozitën: Do të bëhen propozimet për të filluar punën

14/02/2022 12:10

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka folur para mediave duke folur për zgjatjen e afateve të vettingut duke thënë se është një moment historik që i shërben të gjithë shqiptarëve.

“U miratua zgjatja e mandateve të afatit të vettingut. Këtu fitoi Shqipëria dhe çuarja përpara e reformës historike në drejtësi. Unë asnjëherë nuk i shmangem pyetjeve, edhe kur ato ngrihen në bazë të sajesave. Nuk është i vërtetë sajimi i radhës. Thirrja ime për ju është mos ia vini veshin Saliut sepse s’i hy në punë njeriu”, tha Balla duke iu referuar akuzave të bëra nga ish-kryeministri Sali Berisha, se mes tij, Erion Veliajt dhe Lulzim Bashës ka pasur një takim të fshehtë në Elbasan.

Nga ana tjetër, Balla foli edhe për dy reformat që priten të diskutohen me opozitën, territoriale dhe zgjedhore. Për Reformën Territoriale, u shpreh se po propozohen 8 anëtarët, ndërsa për reformën Zgjedhore theksoi se duhet diskutuar me Komisionin e Posaçëm.

“PS do të ketë tetë anëtar në secilën prej komisioneve. Bashkëkryetar i komisionit do të jetë Gjiknuri nga PS. Sot kam diskutuar një diskutim me anëtarët e grupit për përbërjen e komisionit territorial, për ngritjen e këtij komisioni. Ajo që dua të them është që të propozojmë qoftë bashkëkryetarin, qoftë kryetarin tjetër për të filluar punën. Mandati do të jetë 6 mujor dhe besoj se janë të mjaftueshme për të gjitha propozimet. Demokracia është sistemi ku duhet të biem dakord, nëse nuk biem dakord ju e dini zgjidhjen. Nuk dua të paragjykoj asnjë nga puna e këtij komisioni. Ka shumë çështje që duhet të diskutohen.

Nuk ka pasur negociata për këto çështje. Është ndërgjegjësimi edhe i deputetëve dhe i grupit parlamentar të grupit më të madh të opozitës. Ne menduam t’i mbështesim. Unë nuk dua të flas më fare për këtë çështje se është një kompetencë që i takon Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore. Të gjitha çështjet ti drejtohen Komisionit të Posaçëm se ka marrë detyrën për të marrë të gjitha propozimet. Ky 6 mujor të përdoret në funksion të të gjithë rekomandimeve të raporteve të OSBE ODIHRIT qoftë për zgjedhjet e 25 prillit apo për zgjedhje të tjera dhe në këtë këndvështrim, gjithmonë e kam thënë që komisioni të përmbledhë dhe ndryshime që kanë të bëjnë me legjislacionin për ligjin për parti politike dhe financimin e partive politike. 

Një prej rasteve është i një financimi të dyshimtë të PD dhe Bashës që kanë marrë për një proces lobimi që mesa di është ende në hetim dhe duhet të hetohet çdo rast i dyshimtë që partitë politike marrin financime të dyshimta. Në një vend tjetër ka filluar hetimi për këtë lloj financimi. Sugjerimi do të ishte që kushdo që ka sugjerime për përmirësimin e legjislacionit zgjedhor, për fushatat elektorale, të shkojnë tek Komisioni i Posaçëm dhe besoj që ka mjaft material. Pyetjes tuaj nuk do i përgjigjem sepse në asnjë rast, të gjithë çështjet do ia lëmë Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore”, tha Balla.

Top Channel