Ministrja e Brendshme Faeser: Masa të ashpra kundër ekstremistëve të djathtë

14/02/2022 13:31

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë Nancy Faeser do të veprojë me vendosmëri kundër urrejtjes dhe nxitjes së urrejtjes. Ajo po planifikon një plan veprimi kundër ekstremizmit të djathtë.

Ministrja Federale e Brendshme, Nancy Faeser (SPD) dëshiron të ndërmarrë veprime të forta dhe të zbatojë një plan veprimi kundër ekstremistëve të krahut të djathtë. “Shteti i së drejtës duhet të tregohet i aftë për të mbrojtur veten”, tha politikania socialdemokrate për gazetën “Bild am Sonntag”.

“Ekstremizmi i krahut të djathtë është rreziku më i madh për demokracinë tani – me sulmet e tij vrastare në Halle dhe Hanau, kundër Walter Lübcke-s, nga NSU. Shumë njerëz e kanë minimizuar këtë rrezik për vite me radhë,” tha Faeser për gazetën.

Tharje e burimeve financiare

“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të tharë terrenin për dhunën e ekstremit të djathtë, duke vepruar shumë fuqishëm kundër urrejtjes dhe nxitjes.” Ministria e Brendshme do të monitorojë flukset financiare të ekstremistëve dhe do t’u heqë në mënyrë shumë sistematike armët atyre. Kjo nënkupton gjithashtu një ashpërsim të mëtejshëm të ligjeve për armët.

Luftë kundër çdo formë ekstremizmi

Si Ministre e Brendshme, ajo lufton kundër të gjitha llojeve të ekstremizmit – të djathtë, të majtë, islamist. Prandaj, Faeser nuk do të tolerojë urrejtjen dhe nxitjen e urrejtjes: “Kjo vlen pavarësisht se nga vjen”. Sipas ministres, ata që sulmojnë persona të tjerë, qofshin policë, politikanë apo kalimtarë, e kanë kaluar kufirin e protestës së ligjshme dhe legjitime. Ndaj, shteti i së drejtës duhet të ndjekë një strategji të tolerancës zero.

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë nuk tregoi simpati as për veprimet e aktivistëve të klimës, që bllokojnë autostradat ose ngjiten në asfalt: “Ata që bllokojnë rrugët e shpëtimit, siç e kemi parë tani, vënë në rrezik jetën e njerëzve. Unë refuzoj plotësisht çdo formë dhune, frikësimi, shtrëngimi”.

Ditë Kombëtare e Përkujtimit në 11 mars

Gjithashtu, sipas mediave, qeveria federale gjermane dëshiron të caktojë 11 marsin si ditë kombëtare përkujtimore për viktimat e dhunës terroriste. Kjo duket nga një projektligj i kabinetit të ministres Faeser, të cilën e pa portali i lajmeve “ThePioneer” dhe i cili, sipas agjencisë së lajmeve dpa, duhet të miratohet të mërkurën e ardhshme.

Kjo datë lidhet me Ditën Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Terrorizmit, e krijuar pas sulmeve islamike në Madrid më 11 mars 2004. Në atë kohë u vranë 191 persona. Kjo ditë u kremtua për herë të parë në vitin 2005.

Sipas dokumentit, situata e personave të prekur duhet të jetë objekt i fokusimit. Trajtimi i këtyre njerëzve duhet të jetë “edhe më empatik dhe dinjitoz”. Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane, në të ardhmen në këtë ditë përkujtimore flamujt e zisë duhet të ngrihen në të gjithë Gjermaninë në ndërtesat zyrtare federale./DW/

Top Channel