Shqipëria është një nga tre vendet në Europë, që ka miratuar një ligj për kriptomonedhat. Por, ligjit i mungojnë të gjitha udhëzimet e nevojshme që të bëhet i zbatueshëm.

Janë krijuar më shumë se 6 mijë monedha private digjitale që nga krijimi i Bitcoin në 2008 dhe në vendin tonë ato mund të tregtohen në nëse keni një licencë, por asnjëra nuk pranohet si monedhë ligjore. Spiro Brumbulli, sekretar i Shoqatës së Bankave thekson se ligji kërkon të rregullojë një treg të rrezikshëm

 “Shteti po vë dorë mbi këtë treg, sepse nëse i lë totalisht të lira mund të plasin si një flluskë dhe kjo do krijojë konflikte sociale. Njerëzit do kthehen nga qeveritë për t’i fajësuar pse nuk i treguan më parë.”

Mendimi i tij është se kriptomonedhat do të shpërthejnë si skemat piramidale herët a vonë, pasi qëllimi i tyre për të funksionuar si mjet pagese ka dështuar:

“E ardhmja do të jenë monedhat digjitale që do të emetohen nga Bankat Qëndrore. Vetëm ato mund të funksionojnë si mjet pagese. Bankat kanë qëndruar larg këtyre instrumenteve, sepse ofrojnë vetëm instrumente ligjore.”     

Në Shqipëri sipas platformës Chainanalysis për gjeografinë e kriptovalutave janë rreth 28 mijë portofole që mbajnë asete digjitale në vlerën 6.2 miliardë$, duke përbërë gati 1% të popullsisë. Në rajon na e kalon vetëm Serbia dhe Kosova.

Top Channel