Banorët e Kievit të ndarë mbi çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në NATO

14/02/2022 17:05

Banorët e kryeqytetit ukrainas të Kievit shprehën mendime të të ndryshime mbi çështjen e debatueshme të anëtarësimit të vendit në NATO.

Të dielën ambasadori ukrainas në Britani kishte thënë se Ukraina mund të hiqte dorë nga përpjekjet për anëtarësim në NATO për të shmangur luftën me Rusinë. Ministria e Jashtme e Ukrainës, tha sot se politika e saj e anëtarësimit në NATO nuk ka ndryshuar dhe se komentet e ambasadorit ukrainas në Britani ishin keqinterpretuar. Megjithatë, kjo shkaktoi reagime të shumta në Kiev.

Ambasadori Vadym Prystaiko i tha kanalit BBC se Ukraina ishte e gatshme të ishte “fleksibile” lidhur me qëllimin e saj për t’u anëtarësuar në NATO. Zëdhëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov tha sot se Rusia do të mirëpriste një lëvizje të tillë. Kjo nxiti reagime në mesin e banorëve të Kievit.

“Ideja se ne mund të heqim dorë nga qëllimi për t’u anëtarësur në NATO vetëm sepse Rusia do të na pushtonte është thjesht një absurditet”, tha Vladyslav, një inxhinier elektrik 33-vjeçar nga Kievi, duke shtuar se lëshimet ndaj Moskës nuk do të garantonin në asnjë mënyrë sigurinë e vendit.

“Rusia na ka sulmuar edhe në të kaluarën ndonëse, sipas kushtetutës sonë, ne ishim një shtet i paangazhuar”, shtoi ai.

Të tjerë thonë se ka hapësirë për të bërë ndryshime në politikën e jashtme të vendit, duke marrë parasysh rëndësinë e marrëdhënieve me Rusinë.

“Unë jam në favor të një partneriteti me Rusinë në mënyrë që të gjejmë zgjidhje për çështjet mes dy vendeve tona. Duhet të rishikohet situata dhe të merren vendime të ndryshme për të rregulluar politikën tonë të jashtme, jo thjesht të japim një refuzim të prerë”, tha 33-vjeçarja Nina, një konsulente në fushën e menaxhimit.

Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por ka një premtim që nga viti 2008 se do t’i jepet mundësia për t’u anëtarësuar, një hap që do ta çonte aleancën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në kufijtë e Rusisë.

“Lajmi është qartësuar sepse deklarata e ambasadorit Prystaiko u keqkuptua dhe keqinterpretua. Ai tha se Ukraina duhet të jetë më fleksibile dhe Ministria e Jashtme ukrainase e konfirmoi se politika në lidhje me anëtarësimin e vendit në NATO nuk ka ndryshuar. Mbeti ajo që ishte. Unë e mbështesë plotësisht anëtarësimin e vendit në NATO”, tha një student 20 vjeçar ukrainas, i cili nuk pranoi të identifikohej.

Një banore tjetër e Kievit theksoi se vendet e Perëndimit nuk janë të gatshme ta pranojnë menjëherë Ukrainën në NATO.

“Për këtë arsye ne duhet të përqëndrohemi në përmirësimin e ekonomisë sonë, që do të na bënte një partner më strategjik në vend të një vendi që varet nga ndihmat. Ne duhet ta rrisim ekonominë dhe të bëhemi një vend më tërheqës për partnerët tanë perëndimorë”, tha 31-vjeçarja Inna Kotrych, punonjëse në industrinë e ilaçeve.

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se lidhjet në rritje të Ukrainës me aleancën perëndimore mund ta bëjnë atë një vend nga ku NATO mund të lëshojë raketa që kanë në shënjestër Rusinë. Ai thotë se Rusia duhet të vendosë “vijat e kuqe” për ta parandaluar këtë./ VOA

Top Channel