Ukraina e rrethuar! Rusia shton trupat në kufi, Biden bisedon me presidentin ukrainas

13/02/2022 22:51
Tendat në Kursk, 110 km në lindje të kufirit me Ukrainën

Ukraina ka intensifikuar përpjekjet e saj diplomatike për të parandaluar një luftë të përmasave të gjera me Rusinë.

Këtë të diel, kryeministri Volodymyr Zelensky ka folur në telefon me presidentin e SHBA-së Joe Biden dhe me shefin e Këshillit Europian, Charles Michel. Në të dyja telefonatat, theksi është vendosur që Ukraina të ndjekë të gjitha rrugët e diplomacisë për të parandaluar luftën. Shefi i Shtëpsië së Bardhë e bëri të qartë së në rast të një agresioni rus, veprimet e Amerikës do jenë të ashpra dhe vendimtare. Zelensky nga ana e tij kërkoi më shumë financime dhe armatime.

Ndërkohë, linjat ajrore evropiane po pezullojnë fluturimet e tyre në Kiev. E para është një kompani holandeze, e cila nuk e ofron më Ukrainën si destinacion. Kjo solli një deklaratë emergjente nga Ministria e Infrastrukturës ukrainase, e cila tha se vija ajrore mbetet e hapur për udhëtimet dhe se janë marrë të gjitha masat për sigurinë e saj. Më pas reagoi kryeministri i vendit. 592 milionë dollarë janë vënë garanci për kompanitë e sigurimeve dhe aeroplanëve në mënyrë që fluturimet për në Ukrainë të mund të vazhdojnë.

Ndërkohë, ministria e Jashtme ukrainase ka marrë një hap në aspektin diplomatik, duke i kërkuar Organizatës për Paqe dhe Siguri në Evropë që të ulë në tavolinë Rusinë për të shpjeguar arsyet e përgatitjeve ushtarake, sipas përgjegjësive që rrjedhin nga Dokumenti i Vjenës.

Dokumenti i Vjenës, i nënshkruar nën kujdesin e OSBE-së, përcakton se Shtetet pjesëmarrëse do të konsultohen dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për çdo aktivitet të pazakontë dhe të paplanifikuar të forcave të tyre ushtarake jashtë vendndodhjeve të tyre normale në kohë paqeje, të cilat janë të rëndësishme ushtarakisht.

Qeveria ukrainase ka bërë thirrje tek qytetarët për të shmangur panikun, ndërsa presidenti Zelensky kërkon me ngulm nga agjencitë perëndimore të inteligjencës se nëse kanë informacione të sakta mbi pushtimin të lajmërohen menjëherë.

 

Top Channel