Tallja e Putin me Zelensky-n: “Të pëlqen apo jo bukuroshe, do durosh..”

13/02/2022 13:32

Mjaft gazetarë perëndimorë u shprehën të shokuar nga gjuha e përdorur nga presidenti rus, Vladimir Putin kur foli për marrëveshjen e Minskut dhe nëse presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky mund t`i bindej atij pakti.

Komenti i Putinit ishte ai që u diskutua gjerë e gjatë më pas, duke lënë në hije detajet e marrëveshjes së armëpushimit. “Presidenti i Ukrainës, është shprehur së fundi se nuk i pëlqen asnjë pikë e marrëveshjes. Epo, të pëlqen apo jo bukuroshja ime, duhet të durosh. Është detyrimi yt dhe duhet ta përmbushësh, ndryshe nuk funksionon”, tha ai.

Këto fjalë të shefit të Kremlinit u interpretuan si ofenduese. “Duket si një batutë e ashpër për dhunim seksual, por nëse kërkon në Google”, rezulton edhe më keq së kaq, shkroi në Twitter gazetari Max Seddon, korespondent i Financial Times në Moskë. Në media të ndryshme, u shfaqën lajme se presidenti rus kishte cituar vargun e një kënge të një grupi rus roku të viteve 90, që kishte dhe referenca nekrofilie.

Por një zëdhënës i Kremlinit i mohoi të tilla pretendime, duke thënë se ajo shprehje është marrë nga “folklori rus” dhe nuk ka asnjë lloj konotacioni tjetër, ndërsa shtoi se kreu i shtetit, me shumë gjasë, as që e njeh grupin në fjalë.

Top Channel