Kamionistët protestues kanadezë vijonin sot të mbanin të bllokuar pika të rëndësishme të transportit kufitar me SHBA kundër masës së qeverisë për vaksinimin e detyruar dhe kufizimet Covid.
Protestuesit refuzuan urdhërin e gjykatës të premten mbrëma për largimin e tyre teksa lëvizja e protestës bëhet gjithnjë e më e madhe. Kryeministri i Ontarios shpalli gjendjen e emergjencës në provincë, me të cilën autoritetet mund të vendosin gjoba deri në 100,000 dollarë ose deri në një vit burg bllokimin e infrastrukturës.
Gjykatësi i lartë i Ontario, Geoffrey Morawetz, kishte dhënë afat për largimin e protestuesve deri mbrëmjen e të premtes por koha ka kaluar dhe bllokada vijon. Policia në Windsor paralajmëronte se kamionistët protestues mund të arrestohen dhe automjetet e tyre të sekuestrohen.
Prej të hënës shoferë kanadezë protestues ndaj masave qeveritare të vaksinimit kanë bllokuar urën e rëndësishme që lidh Windsor me Detroit, në të cilën kalon rreth 25% e tregtisë me SHBA.
Ndërkohë mijëra kamionistë të tjerë kanë bllokuar zonën qendrore adminsitrative në kryeqytetin Ottawa prej tashmë dy javësh. Kamionistët protestues kanë bllokuar gjithashtu kalimet kufitare me SHBA në Alberta e Manitoba.
Top Channel