Ambasadori rus në Suedi: Nuk na bëhet vonë fare për sanksionet e Perëndimit!

13/02/2022 16:03

Rusisë nuk i bëhet vonë fare për sanksionet e perëndimit në rast pushtimi të Ukrainës! Ambasadori rus në Suedi, Viktor Tatarintsev tha se Moska nuk shqetësohet aspak nga masat ndëshkuese që mund të merren në këtë rast.

Më falni për gjuhën që po përdor, por sanksionet e tyre nuk na interesojnë. Jemi përballur me kaq shumë sanksione deri tani, e ato, në një farë kuptimi, kanë pasur një efekt pozitiv në ekonominë dhe bujqësinë tonë”, tha diplomati i lartë rus për gazetën Aftonbladet.

“Po ecim mirë vetë, kemi mundur t`i rrisim ndjeshëm eksportet tona. Ne nuk kemi djathë italian apo zviceran, e çfarë pastaj? Jemi mësuar të bëjmë djathëra rusë po aq të mirë duke përdorur receta italiane dhe zvicerane“, u shpreh ai.

Tatarintsev e pranoi se sanksionet e reja nuk kanë asgjë pozitive, por sipas tij nuk janë dhe aq të këqija, ndersa akuzoi Perëndimin se nuk e kupton mentalitetin rus.

Ambasadori edhe një herë i mëshoi idesë Moska se nuk e dëshiron luftën, madje kërkon shmangien e saj. Lëvizjet e ushtrisë ruse, megjithatë, gjithmonë e më shumë po dëshmojnë se frika e një inkursioni në vendin fqinj, nuk është dhe aq e pabazë.

Top Channel