“Ukraina është gati për luftë”, Ministri Reznikov thirrje vendasve: Qëndroni të qetë

12/02/2022 18:43

Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov tha këtë të shtunë se Rusia nuk mund të pushtojë asnjë qytet ukrainas.

Në një deklaratë, Reznikov tha se forcat e armatosura të Ukrainës janë absolutisht të gatshme për të luftuar dhe nuk do të heqin dorë nga tokat ukrainase, pasi frika e një pushtimi rus rritet midis aleatëve ndërkombëtarë të vendit.

Në vitin 2014, Reznikov tha se ukrainasit “nuk ishin psikologjikisht të gatshëm t’i rezistonin dikujt me të cilin u ulën në të njëjtën tryezë dje”, por “situata është krejtësisht e ndryshme” tani.

Ky ishte viti në të cilin Rusia aneksoi gadishullin jugor të Krimesë të Ukrainës dhe shpërtheu konflikti midis separatistëve pro-rusë dhe forcave ukrainase në Ukrainën lindore.

“Të gjithë ata që kanë parë në sytë e ushtarëve tanë të paktën një herë janë të sigurt se nuk do të ketë përsëritje të vitit 2014, agresori nuk do të pushtojë as Kievin, Odesën, Kharkivin apo ndonjë qytet tjetër”, tha Reznikov.

Ministri i Mbrojtjes shtoi se Ukraina ka ushtrinë e saj më të fuqishme në 15 vjet.

Gjenerali Valery Zaluzhny, komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, tha në deklaratë se stërvitja komanduese dhe shtabi ishin duke u zhvilluar në të gjithë vendin.

Ukraina “po rrit vazhdimisht aftësitë mbrojtëse, koherencën e njësive dhe aftësitë ushtarake”.

Pasi ka forcuar mbrojtjen për kryeqytetin e Kievit, Ukraina tani është “gati të takojë armiqtë… jo me lule, por me shtiza”, tha Zaluzhny.

Reznikov shtoi se vendi u përforcua gjithashtu nga mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë, duke e përshkruar atë mbështetje si “më të madhen që nga pavarësia”.

Ai kritikoi ashpër pretendimet nga Moska se “Ukraina planifikon të sulmojë Rusinë”, duke i quajtur ato “absurde”.

“Ne nuk do të sulmojmë askënd, por po bëjmë gjithçka për të forcuar mbrojtjen tonë dhe për të eliminuar mundësinë e përshkallëzimit”,  tha Reznikov.

Ukraina planifikon “të ndjekë një rrugë politike dhe diplomatike” për të rifituar territoret e pushtuara përkohësisht, sipas tij.

Ai u bëri thirrje ukrainasve që të “qëndrojnë të qetë” përballë paralajmërimeve në rritje, duke e quajtur qetësinë “arma kryesore që mund të sigurojë një bazë të fortë për mbrojtje”.

Top Channel