Presidenti i Ukrainës i kërkon SHBA provat që Rusia ‘sulmon të mërkurën’/ Moska akuzon Perëndimin se po provokon luftë ‘me çdo kosto’ (fotot)

12/02/2022 18:54

Mes retorikës së ashpër të konfliktit dhe provokimeve të Perëndimit dhe Rusisë, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i ka kërkuar të shtunën SHBA “të shfaqë provat” që ka për pretendimet se “Rusia do të pushtojë vendin e tij të mërkurën”.

Në një linjë të ngjashme me Ukrainën, edhe Moska ka vijuar sonte akuzat ndaj Perëndimit duke thënë se “po kërkojnë të provokojnë luftë me çdo kusht”, shkruan rrjeti britanik “Daily Mail”.

Planet e pushtimit të supozuar, u raportuan fillimisht nga e përditshmja gjermane Der Spiegel, e cila detajonte rrugët specifike që mund të merren nga njësitë ruse, të cilat ishin analizuar nga CIA e Pentagoni, para se të prezantoheshin te presidenti Joe Biden.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken mbajti sot një telefonatë me homologun rus Sergei Lavrov për krizën, pasi “planet e detajuara” shtuan më shumë frikën dhe alarmin për luftë në Evropën lindore.

Ai tha se kishte paralajmëruar Lavrov se “agresioni nga Moska do të pritej me sanksione të forta, të vendosura dhe një kundërpërgjigje transatlantike”.
Ndërsa presidenti Zelensky i tha sot haptazi SHBA: “Nëse keni informacion 100 përqind të sigurtë se Rusia do të sulmojë Ukrainën, ju lutem na e jepni edhe ne”.

Ai shtoi se e kuptonte se rreziqe të tilla ekzistojnë dhe se vendi i tij është i gatshëm të marrë çdo masë të nevojshme.
Ndërkohë mijëra britanikë, amerikanë e qytetarë evropianë janë urdhëruar të largohen nga Ukraina pasi “në rast të një sulmi nga Rusia nuk do të ketë evakuime ushtarake”.

Zhvillimi vjen teksa ministria ukrainase e mbrojtjes raportonte shtatë incidente të shkeljes së armëpushimit në zonën rebele të Donetsk në 24 orët e fundit, duke akuzuar se forcat pro-ruse kishin hapur zjarr pranë Pisky.

Mediat perëndimore thonë se tensionet mund të përshkallëzohen të dielën kur nis faza e zjarrit në manovrat ushtarake ruse në detin e Zi dhe Detin Azov.

Manovrat do të zgjasin një javë, gjatë të cilave do të bllokohen rruget detare tregtare në detin Azov dhe ngushticen Kersh mes Rusisë e Krimesë.

Zëdhënësi i Kremlinit,Dmitry Peskov tha se manovrat detare ruse janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar detar, por mbikqyrësit e NATO-s thanë se kjo nuk përjashton mundësinë e një “sulmi amfib ndaj Ukrainës”.

Top Channel