Pensionistët, protestë në Greqi/ Kërkojnë ndihmë për çmimet e rritura të energjisë

12/02/2022 15:27

Dhjetëra pensionistë të mbledhur në qendër të Selanikut kërkojnë nga qeveria masa për përballimin e rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, gazit dhe naftës për ngrohje. Siç shprehen pra kamerave televizive është e pamundur që me inflacionin mbi 5,1%, rekord i 11 viteve të fundit dhe shtrenjtësinë e artikujve ushqimorë, të paguajnë faturat dhe të mund të mbijetojnë.

Rritje galopante e çmimeve, nga gazi natyror që është rritur me 134%, apo energjia elektrike qe ka shkuar me shume se 50%“.

Shumë grekë përpiqen në tregjet popullore të lagjeve të gjejnë gjithmonë një zgjidhje më të lirë për frutat dhe perimet që konsumojnë, pasi rritja e kostos të energjisë, si dhe dëmet nga moti i keq në shumë zona të vendit kanë ndikuar në rritjen e çmimeve nga 20 në 50% për produkte të caktuara.

Çmimet e larta na kanë ndikuar dhe po na çmendin. Të marrësh 400 euro në muaj dhe të t’i marrin menjëherë. Si mund të jetojë njeriu, çfarë duhet të bëjë, a nuk do ilaçet e tij, ushqimet, shpenzimet?

Që nga shtatori, qeveria ka shpenzuar më shumë se 2 miliardë euro për të subvencionuar faturat e energjisë elektrike dhe gazit për familjet, bizneset dhe fermerët dhe ky subvencionim vazhdon edhe për muajin shkurt në një mase më të ulët.

Por çmimet e këtyre faturave janë trefishuar si për banorët ashtu edhe për bizneset e vogla, shumë prej të cilave ose mbyllen ose kanë krijuar borxhe të mëdha në sistemin e sigurimeve shoqërore duke mos paguar detyrimet.

Për shkak të taksave në karburante, Greqia ndodhet në vendin e katërt në Europë dhe të tetin në botë për çmimin më të lartë të benzinës, që arriti 24 orët e fundit në 1.86 cent për litër. Gjithashtu, çmimi i naftës për automjetet ka shkuar në 1.6 euro për litër, i gazit për automjete 1,05  dhe i naftës për ngrohje në 1,25 euro për liter.

 

Top Channel