Opozita, bashkë për energjinë/ Kosovë, PSD dhe AAK lëvizje për të kundërshtuar shtrenjtimin

11/02/2022 19:53

Për të kundërshtuar vendimin për rritjen e çmimit të energjisë, Partia Social Demokrate po mundohet të bëjë bashkë opozitën.

Mirëpo, në takimin e së premtes, dy partitë opozitare më të mëdha, PDK dhe LDK nuk morën pjesë, të cilëve edhe një herë kreu i PSD-së iu bëri ftesë.

Dardan Molliqaj: Ju bëj ftesë edhe nga këtu, në emër të partisë Socialdemokrate, që nëse kjo iniciativë e jona, protesta paraprake, shihet, përfytyrohet analizohet si çështje e primatit, nga këtu i ftojmë që ata ta marrin primatin.

Derisa, Molliqaj shtoi se të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan për një aksion opozitar, për të cilin s’është vendosur ende një datë.

Dardan Molliqaj: Një zëri të gjithë jemi pajtuar se duhet të kemi një veprim të përbashkët, përkatësisht aksion opozitar

Ftesës së PSD-së, pozitivisht iu përgjigj vetëm AAK si parti e përfaqësuar në Kuvend, ku thanë që opsion mbetet Gjykata Kushtetuese.

Ahmet Isufi: Kur përmenda gjithë instrumentet, nënkuptohet edhe angazhimi ynë për dërgim në Gjykatën Kushtetuese, sepse mendojmë që është shkelë interesi qytetar.

Në takimin e PSD-së pjesëmarrës ishin edhe Nisma SocialDemokrate dhe Aleanca Kosova e re, si parti jashtë parlamentare, dhe Blerim Syla si përfaqësues i Sindikatës së Punëtorëve të Shëndetësisë.

Top Channel