Pretendimet se nuk jemi të vetmit në Univers, kanë marrë një hov të ri pas pohimit të një grupir shkencëtarësh, se mund të jetë jetë edhe në një planet tjetër, të ndodhur pranë një dielli që po vdes.
Nëse kjo konfirmohet, thotë BBC, do të ishte hera e parë që zbulohet një planet mbështetës i jetës i cili orbiton rreth një ylli të tillë, të quajtur “xhuxh i bardhë”. Planeti u zbulua në “zonën e banueshme” të yllit, ku nuk është as shumë ftohtë dhe as shumë nxehtë, pra, me kushte që mund të mbështesin jetën.
Studimi u publikua në njoftimet mujore të Shoqërisë Mbretërore Astronomike.Profesori Jay Farihi nga University College London, i cili drejtoi studimin, tha se ky vëzhgim është tërësisht i ri për astronomët.“Është hera e parë që shohim një gjë të tillë në zonën e banueshme të një xhuxhi të bardhë.
Kjo dëshmon qartë, se ekziston mundësia që rreth tij të rrotullohet një botë ku ka jetë”, tha ai. Yjet shumë të mëdhenj, kur vdesin bëhen vrima të zeza, thotë BBC, ndërsa yjet më të vegjël si Dielli ynë bëhen xhuxhë të bardhë, që do të thotë yje të cilët e kanë përdorur të gjithë karburantin e tyre bërthamor dhe kanë humbur shtresat e tyre të jashtme.
Planeti që mendohet se mund të bartë jetë, është 117 vite dritë larg nga Toka, dhe mendohet të jetë 60 herë më afër yllit sesa planeti ynë me Diellin.
Top Channel