Me 118 vota e 4 abstenim, Kuvendi miratoi zgjatjen e afatit të Vettingut. Për të miratuar zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut duheshin 94 vota, nga të cilat 74 i kishte mazhoranca, ndërsa pak para nisjes së Kuvendit Partia Demokratike zyrtarizoi votën pro zgjatjes së afateve të Vetingut, kurse kundër u shpreh grupimi i ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa LSI abstenoi.
Deputetët që abstenuan ishin Emilja Koliqi nga PD, dhe nga LSI: Monika Kryemadhi, Petrit Vasili dhe Erisa Xhixho.
Votimi i sotëm erdhi pasi i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka ushtruar presion që zgjatja e afateve të vettingut të votohet.
Maciej Popowski, kryetar i Bordit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM pranë Komisionit Evropian tha përmes një lidhjeje online se e mbështeste nismën e Kuvendit për amendimin e Kushtetutës, me qëllim zgjatjen e mandatit të institucioneve të vettingut. Ai e cilësoi reformën në drejtësi si një nga reformat më të mëdha që Shqipëria kishte ndërmarrë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.
SHBA dhe BE përmes një deklarate të përbashkët i bënë thirrje deputetëve që të votojnë të gjithë pro këtyre ndryshimeve. Ata nënvizuan se reforma në drejtësi po jep rezultate dhe edhe falë saj vendi ka bërë shumë përparim.
Kushtetuta parashikon se kur i përfundon mandati KPK-së dhe komisionerëve publikë, çështjet e papërfunduara të rivlerësimit shqyrtohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Top Channel