Ushtronin aktivitet të kundraligjshëm të lojërave të fatit, arrestohen dy persona në Tiranë

10/02/2022 14:48

Dy persona, pronarë lokalesh në zonën e Astirit në Tiranë, janë arrestuar nga policia në kuadër të operacionit të koduar “Last Game”, për aktivitet të kundraligjshëm në fushën e lojërave të fatit.

Në një njoftim të policisë së Tiranës, mësohet se efektivët e komisariatit nr.6, pas informacioneve të marra në rrugë policore, se dy shetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur ambientet në pronësi të tyre, për ushtrimin e lojërave të fatit.

Si rezultat i këtij operacioni, në pranga ranë shtetasit: F. Z., 31 vjeç, pronar i një lokali në rrugën “Loni Ligori” dhe B. S., 21 vjeç, pronar i një lokali në rrugën “Teodor Keko”, të dy banues në Tiranë.

Këta shtetas kishin përshtatur ambientet e lokaleve në pronësi të tyre, për ushtrimin e lojërave të fatit, dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me anë të një sistemi shpërndarjeje nëpërmjet aparateve celulare, shkëmbenin adresa që shërbenin për lotari të palejuara”, beri me dije policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy aparate celulare që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Top Channel