Revoltë për vrasjen e palestinezëve/ Ushtarët izraelitë vranë tre palestinezë që i konsideronin celulë terroriste

10/02/2022 01:40

Disa protestues palestinezë u përleshën me ushtrinë izraelite në Bregun Perëndimor, disa ditë pas vrasjes së tre palestinezëve nga forcat izraelite në Nablus.

Izraeli tha se kishte vrarë “tre militantë palestinezë gjatë një operacioni kundër një celule terroriste” në qytezën e bregut Perëndimor.

Burime të sigurisë palestineze thanë se “ushtarët izraelitë brenda një makine civile, sapo dalluan automjetin palestinez hapën zjarr me breshëri duke vrarë tre të rinjtë”. Pamjet e automjetit të shkatërruar nga plumbat në mes të ditës ishin publikuar nga mediat vendase.

Qindra palestinezë kishin mbushur dje rrugët rreth spitalit Rafidia në Nablus, nga ku u morën trupat e tre të rinjve. Policia izraelite tha se viktimat ishin ” terroristë të armatosur, të vrarë gjatë përplasjes me forcat e armatosura”.

Ata shtuan se të vrarët “ishin përgjegjës për sulme ndaj trupave dhe civilëve izraelitë”. Qyteti i Nablus është në veri të Bregut Perëndimor, i pushtuar nga Izraeli që prej Luftës Gjashtë ditore të vitit 1967.

Top Channel