Rama: Askush nuk ngel pa shtëpi/ Kryeministri takon protestuesit e lagjes “5 Maji”

10/02/2022 15:15

Banorët e lagjes ‘5 Maji’, paraditen e kësaj të enjte, u ngritën në protesta përballë dyerve të kuvendit, ku biseduan me kreun e qeverisë, Edi Rama, lidhur me shembjen e më shumë se 400 banesave të zonën e ‘5 majit’, në kuadër të projektit të rindërtimit.

Kanë qenë katër banorë, të cilët kanë zhvilluar një takim me kryeministrin brenda ambjenteve të kuvendit. Fill pas këtij takimi, kryeministri, Edi Rama argumentoi se askush nuk do të hidhet në rrugë, dhe se shtëpi do të përfitojnë si qytetarët me certifikatë pronësie ashtu edhe ata pa leje.

“Për të gjithë banorët, qoftë të 5 majit, qoftë të Unazës, të cilët janë të ndarë në dy kategori, do ketë një trajtim të dinjitetshëm, njerëzor dhe solidar. Njësoj si ata që humbën shtëpitë nga tërmeti. Për ata që janë me certifikata pronësie nuk kemi çfarë diskutojmë se ata janë me dokumente, të rregullta dhe ligjore. Zgjedhja është e qartë: Ose dëmshpërblim financiar ose kompensim me këmbim. Që ata të marrin më shumë se ç’kanë si pronë duke qenë pronarë. Për ata që janë pa letra fare përsëri qasja është solidare, nuk është hedhje në rrugë”, tha Rama.

Një ditë më parë, Fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit filluan shembjen e banesave në njësinë numër 4, në zonën e 5 majit, ku do të zbatohet projekti i rindërtimit, teksa qytetarët kanë shfaqur rezistencë dhe janë shprehur se ndihen të pasigurt për strehimin e tyre.

Vendimi i këshillit të Ministrave, i miratuar në shtator 2021, saktëson se shpronësimi për interes publik, do të bëhet me kompensim me shkëmbim, që do të thotë se e njëjta sipërfaqe që shembet, do zëvendësohet me po të njëjtën sipërfaqe në bllokun e pallateve të rinj. Po kështu, poseduesit e banesave në proces legalizimi, do të përfitojnë të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë, në godinat e reja që po ngrihen në të këtë zonë.

Top Channel