Pasagjeri i tërbuar i avionit akuzon gruan se ‘e shponte nga prapa me gjilpërë për t’i marrë ADN-në’ (fotot)

10/02/2022 21:19

Një fluturim i linjave Frontier Airlines nga New York drejt Orlando në SHBA bëri dje një ulje emergjence kur një pasagjer jashtë kontrolli ulërinte duke thënë se gruaja prapa tij “e shponte me gjilpërë për t’i marrë ADN-në”.

Fluturimi nga aeroporti i LaGuardia drejt Florida u kthye në kaos kur burri i fiksuar bënte pretendimet pak të besueshme dhe nisi të kërcënonte pasagjerët e tjerë se do të vriste të gjithë njerëzit në bord, raportonte rrjeti WTVD .

Pasagjerja Savannah Figueroa, tha se burri i trazuar “ulërinte me zë të martë dhe ishte i trazuar prej fillimit”.
“Pasagjerja prapa tij ishte një zonjë me djalin e saj autik prandaj besoj se ai ndjente lëvizjet nga prapa sediljes. Më pas nisi të thoshte i tmerruar se ‘këta njerëz po më prekin, po përpiqen të më shpojnë me gjilpëra, por përpiqen të më marrin ADN-në’”, tha Figueroa për mediat.

“Burri tha më tej ‘nuk e di çfarë duan të bëjnë me të, ndoshta për para, për ta shitur. Nuk më intereson se është një zonjë me fëmijë. Do t’i qëlloj të dy’”, tregonte gruaja.

Por kur ndihmësat e fluturimit e pyetën çfarë nuk shkonte dhe i kërkuan të ulte zërin, ai u tërbua akoma më shumë, thotë dëshmitarja.

“Ishte me valë të ndryshme, nganjëherë qetësohej dhe pushonte, dhe më vonë niste gjithçka përsëri si më parë”.
Në pamjet video të regjistruara shihen punonjësit e fluturimit që bllokojnë derën e kabinës së pilotimit teksa pasagjerët dhe një oficer policie e mundin dhe e lidhin burrin e trazuar me rripa mesi dhe kapëse plastike.

“Besoj se ata kishin frikë se do të shkonte te piloti për t’i thënë të ulte avionin”, thotë Figueroa duke shtuar se trembej për jetën e saj dhe nisi të mendonte të dërgonte mesazhet e fundit për të dashurit.

“Ai po kërcënonte fëmijën, gruan dhe të gjithë në avion, tha se do të na vriste të gjithëve”.
Fluturimi më pas ndryshoi kurs dhe u ul në aeroportin e Karolinës së Veriut, ku burri kërcënues u mor nga policia.
Autoritetet nuk kanë identifikuar burrin apo akuzat ndaj tij.

Avioni qëndroi në tokë për gati dy orë para se të riniste fluturimin drejt Orlando, ku mbërriti në 11:17 të mbrëmjes.

FOTO GALERI
1/3
Pasagjeri jashtë kontrolli ulërinte duke thënë se gruaja prapa tij “e shponte me gjilpërë për t’i marrë ADN-në”.

Top Channel