Partia Demokratike ka vendosur të votojë pro shtyrjes së afateve për organet e vetting-ut duke marrë në këmbim plotësimin e dy kushteve kryesore të saj, kryerjen e reformës territoriale dhe reformës zgjedhore.

Burime për Top Channel konfirmojnë se vendimi u mor këtë mëngjes në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.

Këtë të enjte mbahet seanca parlamentare, ku pas votimit për zgjatjen e mandatit për organet e vetting-ut, kuvendi do të votojë për ngritjen e 2 komisioneve për zbatimin e menjëhershëm të kërkesave të PD-së.

Delegacionet e SHBA-së dhe disa shteteve europiane kërkuan dy ditë më parë shtyrjen e afateve të vetting-ut, duke e cilësuar is element të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Përmes një njoftimi, ambasada e Britanisë së Madhe thekson se zbatimi i reformës në Drejtësi është thelbësor për një sistem drejtësie të pavarur dhe efikas për të ardhmen e Shqipërisë.

 “Zbatimi i reformës në drejtësi është thelbësor për një sistem drejtësie të pavarur dhe efikas si dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Ne inkurajojmë Kuvendin e Shqipërisë të mbështesë zgjatjen e propozuar të vetting-ut.

Procesi i rivlerësimit i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të bëhet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Kjo do të ndikojë në konsolidimin e mëtejshëm të reformës dhe në përgjithësi në rritjen e besimit në sistemin e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e ambasadës britanike.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe ambasada amerikane në Tiranë, përmes një deklarate të përbashkët, kërkuan që të votohet zgjatja e afatit të vetting-ut.

Në deklaratën e dy selive diplomatike thuhet se Shqipëria gjatë viteve të fundit ka bërë përparime domethënëse në reformat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Ndër hapat më të vështirë, por thelbësorë, ka qenë miratimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Jemi në një moment të rëndësishëm pasi reforma në drejtësi po jep rezultat”, thuhet në deklaratë.

Vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një element thelbësor i reformës në drejtësi. Për t’u mundësuar institucioneve të vetting-ut të kryejnë misionin e tyre, është i nevojshëm ndryshimi i kushtetutës për të zgjatur mandatin e tyre për një periudhë të kufizuar. Komisioni i Venecias konfirmoi se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet evropiane dhe është e nevojshme për të garantuar barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike.

Ambasadorët thonë se zgjatja e propozuar e vetting-ut mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë që dëshirojnë ta shohin vendin tonë në BE sa më shpejt të jetë e mundur.

“Kjo nuk është një çështje partiake, shpresojmë që të gjithë deputetët, pavarësisht nga përkatësia partiake, të shohin këtë si një çështje të interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të, ashtu siç kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Shqipërisë. Vota për zgjatjen e vetting-ut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian“, përfundon deklarata e ambasadorëve.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA