Nëse sulmohet Ukraina, nafta do “çmendet”: Shkon 120 USD për fuçi

10/02/2022 18:12

Në muajin prill, çmimi i naftës bruto rrotullohej në bursa tek 90.50 dollarët për fuçi. Megjithatë, që nga fillimi i vitit, kuotimi i arit të zi është stabilizuar nën 80 dollarë fuçia dhe ka qëndruar pak a shumë në ato nivele.

Por nëse Rusia sulmon Ukrainën, e gjithë kjo mund të ndryshojë. Ekonomisti veteran, një strategji i tregjeve financiare, David Roche parashikon se konflikti në Ukrainë do ta rrisë menjëherë çmimin e naftës, duke e çuar në 120 dollarë për fuçi.

Duke folur për CNBC, Roche tha se lëvizjet e Moskës ndaj vendit fqinj, kanë potencialin të shkaktojnë një tërmet në tregjet globale.

Mendoj se po të ketë një pushtim të Ukrainës, e po të vendosen sanksione të cilat do t`i ndalonin Rusisë qasjen në mekanizmat e huaja të këmbimit valutor, sisteme mesazhesh e gjëra të tilla, ose do t’i ndalohet eksportimi i mallrave e lëndëve të para, qoftë naftë, gaz apo qymyrguri, mendoj se do të mbërrijmë në pikën kur çmimi i naftës do të shkojë në 120 dollarë fuçia”, u shpreh ai.

Po edhe nëse impakti mbi çmimet e naftës nuk do të jetë kaq i madh, Roche sërish paralajmëron pasoja të jashtëzakonshme ekonomike të këtij konflikti.

Ai thotë se shumë pjesëmarrës të tregjeve po e nënvlerësojnë ndikimin real të një krize Rusi-Ukrainë.

Kam përshtypjen që shumë investitorë janë duke e trajtuar Putinin si muzikë sfondi, por gabojnë”, ishte komenti i tij.

Të dielën, sekretari i sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan, paralajmëroi se pushtimi i Ukrainës, mund të ndodhë tashmë në çdo moment.

Top Channel