Ngritja e komisionit të reformës zgjedhore dhe territoriale janë dy çështjet e kërkuara nga Partia Demokratike që janë futur në rendin e ditës të seancës parlamentare.
Këto janë dy reforma themelore për rikthimin e demokracisë si dhe rindarjen territoriale, sipas demokratëve. Partia Demokratike dhe kryedemokrati Lulzim Basha kanë deklaruar prej kohësh se këto janë dy ndër prioritetet më të rëndësishme për vendin dhe opozitën.
“Sot nisim punën për dy reforma të rëndësishme dhë që janë prioritet për Shqipërinë dhe demokracinë, reformen zgjëdhore dhe atë teritoriale.
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë prioriteti ynë. Ne duhet të bëjmë gjithçka, të konsultohemi me ekspertet më të mirë vendas dhe të huaj, në mënyre që të ndërtojmë mekanizmat e duhur për të garantuar që vullneti i zgjedhësve të mos deformohet, si deri më sot, nga shitblerja e votës, bashkëpunimi me krimin dhe përdorimi i administratës dhe fondeve publike.
Prioriteti ynë është reforma territoriale. Grupi i punës, së bashku me deputetët do të nisin një tur konsultimesh në të gjithë vendin, për një ndarje të drejtë administrative, për të fuqizuar pushtetin vendor dhe për të ofruar shërbime publike me cilësi të mirë”, u tha Basha deputetëve në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.
Sipas kryedemokratit, mazhoranca po pengon reformat, për të vënë drejtësinë në shërbim të saj.
“PD-ja është e vendosur për të ndërmarrë çdo vendim që do të mundësonte funksionin më të mirë të drejtësisë dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë. Sot Shqipëria është vendi më i korruptuar i Europës dhe maja e korrupsionit është në qeveri. Pa një drejtësi të fortë, të pastër dhe të pavarur, Shqipëria nuk do të ketë progres ekonomik dhe as në rrugën drejt integrimit.
PD-ja është kontribuesja më e madhe e procesit të integrimit europian. Dhe kurrë nuk do të ndërmarrë ndonjë vendim kundër apo që e dëmton këtë proces”.
Top Channel