Ylli Manjani, ish ministër i Drejtësisë ishte i ftuar ditën e sotme në emisionin ‘Top Talk’.

Manjani u shpreh në studio se duhet të bëhet rithemelimi i një Kushtetute të re në vend, pasi ajo aktuale është ‘e kalbur’ dhe është prekur e ndryshuar shumë herë!

Ish ministër Drejtësie tha se sistemi aktual nuk po prodhon më asgjë pozitive, ndërsa shton se politika në 30 vitet e fundit ndihet pronare e çdo gjëje, qoftë e pasurisë publike dhe asaj private, madje sillet arrogante në lidhje me njerëzit.

“Nuk e shoh Kushtetutën thjesht si një grup nenesh apo paket ligjesh, ne kemi nevojë për një marrëveshje shumë më funksionale. Duhet ta nisim nga fillimi, kjo arnë nuk mban më, duhet të qepim diçka të re!”, thotë më tej Manjani.

Pjesë nga biseda në studio:

Denis Dyrnjaja: Kushtetuta po preket shpesh, ka marrë gunga, grisje, goditje, shkepje, qepje, mos është momenti që ti japim jehonë një koncepti të ri rithemelimi total të Kushtetutës nga e para?

Ylli Manjani: Mendoj se është një cikël 30-vjeçar i mbyllur, në të gjithë eksperimentet që kemi bërë në këtë vend, me të ardhmen me shoqërinë. Ky sistem nuk prodhon më asgjë të mirë dhe nuk ka sistem që i bën fajde, shpik çfarë të duash ti, po është një gjë e arnuar që nuk mban më!

Ky sistem ka prodhuar një shoqëri që e përçon gjithmonë e më shumë, ka prodhuar më shumë pushtet sesa shtet, ka prodhuar arrogancë politike. Politika në Shqipërinë e këtij fund 30-vjeçari, ndihet pronare e çdo gjëje, pronare e pasurisë publike, asaj private, arrogante në raport me njerëzit! Një sistem i kalbur dhe i mbyllur i cili vetëm prodhon vota por jo zgjedhje! Kjo është në thelb ajo që është mbyllur ky cikël. Ajo që ka ndodhur me Kushtetutën është themeli, është marrëveshje e shoqërisë me shtetin.

Denis Dyrnjaja: A duhet të mendojmë një Kushtetutë të re? A ekzistojnë mundësitë që të riparohet?

Ylli Manjani: Unë jam për një kushtetutë të re. Kemi bërë Kushtetutën e tretë në 98’ dhe këtë e kemi prekur 15 herë sipas qefin! Nuk e shoh Kushtetutën thjesht si një grup nenesh apo paket ligjesh, ne kemi nevojë për një marrëveshje shumë më funksionale. Ne duam që të ndërtojmë një shoqëri me shqiptarë të lirë! Duhet ta nisim nga fillimi, kjo arnë nuk mban më, duhet të qepim diçka të re!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA