Dëshmitarë të tmerruar kanë treguar së fundmi sesi një vajzë e re që bënte banjë në një dyshek uji u sulmua brutalisht nga një peshkaqen, i cili më pas hoqi dorë duke lejuar që viktima të kthehej e të ndihmohej nga plazhistët e tjerë.
Jacquelin Morley ishte duke bërë banjë me kamerdaren e saj rreth 150 metra larg bregut në Australi kur predatori 4 metra i gjatë i nguli dhëmbët pa paralajmërim.
20-vjeçarja e sulmuar është publikuar në foto për herë të parë.
Pas sulmit ajo kishte arritur të notonte deri në breg ku u ndihmua nga rezidentët dhe më pas u dërgua me helikopter në spitalin e Perth për kafshimin në zonën e brinjëve.
Jacquelin ka folur së fundmi për rrjetin vendas West Australian, së bashku me Darren Patten që po notonte pranë Jacquelin e miqve të saj kur ndodhi sulmi.
Daren thotë: “Është tmerruese kur e mendon.”
Vendasi Barry Brown tha se ai dhe vëllezërit e tij kishin pikasur të shqetësuar që plazhistja në komerdare po largohej gradualisht nga bregu.
“Ajo dukej se shkonte thellë e më thellë,” tha Brown për rrjetin ABC.
“Ne më pas pamë një figurë dhe nuk ishim të sigurtë nëse ishte delfin apo diçka tjetër poshtë kamerdares. Por gruaja valëviti krahët dhe nisi të kthehej me not me një dorë, ndërsa me tjetrën mbante anën e saj.”
“Peshkaqeni i erdhi nja dy herë rrotull dhe më pas u largua në detin blu”.
Brown shtoi se pa një gjurmë të gjatë gjaku kur shkoi të ndihmonte vajzën dhe ishte i shqetësuar se predatori mund të kthehej.
Kur ai kishte hyrë reth 20 metra në det mori vajzën dhe vrapoi drejt plazhit, ku i priste e dashura e tij.
“E mbështollëm atë me batanije dhe e vendosëm prapa në makinë për ta çuar në spital”.
Sulmi ndodhi në zonën famëkeqe të Esperance, ku disa sulme fatale peshkaqenësh kanë ndodhur gjatë viteve.
Autoritetet thanë se grupet e reagimit ndaj peshkaqenëve po hetojnë dhe kanë nxitur notues të tjerë të tregojnë kujdes.
Top Channel