Çmimet e plehrave kimikë që përdoren në bujqësi janë rritur dhe po godasin fermerët.
Shqetësimin e ngriti deputeti socialist Erion Braçe i cili thirri në interpelancë ministren e Bujqësisë Frida Krifca. Sipas Braçes, më shumë se nga luhatjet në tregjet ndërkombëtare shtrenjtimi I tyre lidhet me abuzimet që bëhen në tregun vendas.
“Gjithçka në këtë treg është përqendruar. Është normale që për sa kohë varemi nga importet e plehrave kimike edhe në tregjet e brendshme do rriten çmimet. Ajo që ne kërkojmë janë çmimet e tregut. Edhe pse ligji jep liri këtij tregu, udhëzimet e kufizojnë lirinë duke njohur ekskluzivitetin. Zinxhiri i vlerës nuk po shkon ashtu siç duhet dhe po bën të pasur vetëm disa kontrollues në tregun e brendshëm. Nesër grumbulluesit taposin tregun me çmime të larta sigurisht që prodhuesit do hedhin prodhimet.” Në përgjigje të saj, ministrja Krifca tha se dikasteri që ajo drejton e ka të kufizuar mundësinë e ndërhyrjes në tregje, por shtoi se qeveria do të vazhdojë mbështetjen ndaj fermerëve.
“Analiza jonë e çmimeve të inputeve bujqësore në nivel globale ndjekin në mënyrë të drejtpërdrejtë ndryshimet e çmimit të lëndëve djegëse. Ministria e Bujqësisë e ka të kufizuar hapësirën për të ndërhyrë në tregje dhe as nuk kemi mekanizma që ta bëjmë këtë.” Krifca
Veç shtrenjtimit të çmimit të plehrave kimikë, sipas Braçes tjetër problem për fermerët janë edhe grumbulluesit e prodhimeve bujqësore që sipas tij kanë zaptuar tregun, por edhe ndryshimet në ligjin e TVSH-së me zerimin e skemës së rimbursimit të fermerëve.
Top Channel