Akullnaja më e lartë në Everest, humb 2000 vjet akull në tre dekada

10/02/2022 18:23

Himalajet janë shtëpi e disa prej akullnajave më të larta në planet, por kjo nuk i bën ato imune ndaj përkeqësimit të krizës klimaterike.

Akulli i grumbulluar atje në mijëra vjet, po shkrihet me ritme frikësuese, sipas shkencëtareve të Universitetit të Maine.

Ata kanë përllogaritur se akullnaja South Col në malin Everest, e cila ndodhet gati 8000 metra mbi nivelin e detit, e ka humbur brenda vetëm tre dekadash akullin e grumbulluar në më shumë se 2000 vjet.

Me këto ritme, nuk është çudi që në dekadat e ardhshme, pjesëmarrësit e ekspeditave në malin Everest të ngjiten mbi shkëmbinj më të ekspozuar, pasi shtresa e tyre e borës dhe akullit vazhdon të hollohet.

Humbja e vëllimit nga akullnaja mendohet të jetë përshpejtuar pasi sipërfaqja e saj është kthyer nga grumbull bore në akull, duke humbur aftësinë për të reflektuar mbrapsht rrezatimin diellor, çka rezulton tani në një shkrirje më të shpejtë.

Në momentin që sipërfaqja e akullnajës është ekspozuar rregullisht, në një çerek shekulli ajo është holluar me afërisht 55 metra, që do të thotë 80 herë më shpejt se gati 2000 vjet që u deshën për të formuar akullin në sipërfaqe.

Kërkimi, që përfshin marrje kampionësh nga akulli i zonës në një thellësi prej 10 metrash, tregon se shkalla e humbjes së tij po mbërrin në pothuajse 2 metra në vit.

Top Channel