Në të gjithë Shqipërinë këtë vit shkollor në sistemin arsimor parauniversitar ka 436 mijë nxënës , që rezulton rreth 25 mijë më pak fëmijë në kopshte dhe në shkolla për vitin 2022, krahasuar me vjet që ishin rreth 461 mijë.

Edhe pse transparenca e shifrave ka munguar, Top Channel bazuar në raportin më të fundit të drejtorisë së përgjithshme arsimore dhe institutit të statistikave ka mësuar se rënia më e madhe ndihet në shkollat e mesme pasi këtë vit numërohen me përafërsi 17 mijë gjimnazistë më pak.

Ndërsa në shkollat 9-vjeçare numri i nxënësve ka rënë nga 286 mijë në 278 mijë, me një mungesë prej 8 000 fëmijësh.

Raporti nxjerr në pah se sot kemi 66 kopshte dhe 5 shkolla të mbyllura krahasuar me vitin e shkuar mësimor. Ndërkaq numërohen në të gjithë vendin 463 institucione arsimore jopublike.

Vihet re se pandemia e covid 19 ka shtuar interesin e prindërve që të zgjedhin arsimimin privat për fëmijët e tyre. Në garën mes shtetit dhe privatit, ky i fundit ka disa avantazhe për shkak të buxhetit financiar.

Top Channel