Johnson & Johnson mbyll përkohësisht fabrikën për prodhimin e vaksinës antiCOVID-19

09/02/2022 02:44

Johnson & Johnson mbylli në heshtje fabrikën e vetme të kompanisë që prodhonte serinë e vaksinave kundër COVID-19 vitin e kaluar, raporton sot “New York Times”, duke cituar burime të njohura me vendimin.

Mbyllja thuhet se është e përkohshme dhe fabrika në Leiden pritet të rifillojë prodhimin e vaksinës brenda disa muajsh, sipas gazetës amerikane. “New York Times” shkruan se nuk është e qartë nëse pezullimi i prodhimit deri më tani ka ndikuar në furnizimin e vendeve me vaksina për shkak të stoqeve të mëparshme.

Johnson & Johnson nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Reuters për koment. Fabrika në qytetin holandez Leiden po prodhon një vaksinë eksperimentale, potencialisht më fitimprurëse, kundër një virusi tjetër në vend të vaksinës kundërCOVID-19.

Kompania vlerësoi muajin e kaluar se do të fitonte deri në 3.5 miliardë dollarë nga shitjet e vaksinës kundërCOVID-19 në vitin 2022, 46 për qind më shumë se një vit më parë. Johnson & Johnson raportoi të ardhura prej 2.39 miliardë dollarësh nga shitja e vaksinës kundërCOVID-19 në vitin 2021, pak më pak se objektivi (2.5 miliardë).

Meqenëse fabrika në Leiden është përkohësisht e padisponueshme, mund të ketë qindra miliona doza të vaksinës Johnson & Johnson më pak në treg, sipas “New York Times”. Fabrika të tjera janë punësuar për të prodhuar vaksinën, por ato nuk janë ende teknikisht gati ose nuk kanë marrë miratimin rregullator për prodhimin e vaksinës, shkruan gazeta amerikane.

Top Channel