Humbin jetën dy të mitur/ Durrës, udhëtonin me çiklomotor, u përplasën me një makinë

09/02/2022 15:10

Dy të mitur humbën jetën natën e kaluar në një aksident automobilistik që ndodhi në Shkozet të Durrësit, në aksin që lidh Urën e dajlanit me Nish Tullën, para gjykatës së Apelit.

Të miturit së bashku me një të rritur ndodheshin pranë kontejnerëve të mbetjeve urbane, kur një automjet që lëvizte me shpejtësi në rrugë i ka goditur nga pas dhe siç rezultoi më pas drejtuesi i mjetit, një i ri 23-vjeçar nga Durrësi ishte në gjendje të dehur.

Këtu ndodhet dhe një kushëriri i njërit prej viktimave, Danielit.

“Na lajmëroi çuni i xhaxhit që është çuni shumë keq dhe është në spital. Ishte ora rreth 12.30, pas mesnate. Shkuam atje në spital dhe pastaj erdhëm këtu, por çfarë të shihje?!

Gërmonte për hekurishte, kanaçe. Ka qenë në punë, është kthyer ne shtëpi. Është larë dhe ka dalë prapë”, tha kushëriri.

Çiklomotorri drejtohej nga Sokoli, babai i njërit prej viktimave Francit që mbeti i vdekur menjëherë pas  përplasjes së fortë. Pak më vonë në spital ndërron jetë dhe Danjeli, nxënës i klasës së 8-të në një nga shkollat e Shkozetit dhe fqinj i tyre. Franci, që vdiq pa mbushur ende 16 vjeç sapo ishte kthyer nga Italia dhe ka dashur të ndihmojë të atin në mbledhjen e hekurishteve. Edhe Danjeli, pas shkollës, punonte në rrugë për të siguruar jetesën e familjes.  Shokë dhe të afërm janë mbledhur pranë shtëpisë së tij në pritje të trupit, ndërsa familjarët e kanë të vështirë të flasin për ngjarjen e rëndë. Shtëpia përdhese dhe e varfër e Danielit dhe Francit pak më tutje janë dëshmi të realitetit të fëmijëve të komunitetit rom që në të shumtën e rasteve e sigurojnë jetesën duke kërkuar mes plehrave.

”E kam pas shok prej 5 vjetësh. Shok shumë i mirë për mua. Ata kishin ikur në shtëpi në 10.00 dhe kanë dalë prapë për të mbledh kanaçe.

Më vjen keq shumë për nënën e vet që po e vuan shumë këtë gjë. Për familjen e vet se janë në gjendje të keqe. S’kanë mundësi shumë”, tha shoku i tij.

Dori, kushëriri i tij tregon se edhe ai çdo ditë mbledh kanaçe në rrugë dhe e ka lënë shkollën. Të gjithë familjarët e tij punojnë në rrugë. Vetëm motra dhe vëllai i vogël qëndrojnë në shtëpi në pritje të ushqimit. Pasiguria teksa punojnë në rrugë është e madhe.

”Kam qenë 8 vjeç kur punoja për plastika dhe isha në plazh ku punoja. U përplasa kur po kaloja rrugën. Dalim për punë e del makina. Është shumë vështirë. Jam përplas 3 herë”, tha djali.

”Sot ikën dy veta.”

Pavarësisht rrezikut të miturit dhe të rriturit që punojnë në rrugë tregojnë se kjo është e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhura dhe shmangur përfshirjen në akte kriminale.

”Është e vështirë, por po punojmë se të vjedhësh është më keq. E gjejmë një çapë bukë.”

Top Channel