Departamenti amerikan i Drejtësisë ka sekuestruar bitcoin në vlerë mbi 3.6 miliardë dollarë

09/02/2022 03:46

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka njoftuar se ka sekuestruar bitcoin në vlerë më shumë se 3.6 miliardë dollarë, sekuestrimi më i madh i fondeve në histori.

Është pjesë e 120.000 bitcoin-ëve të vjedhura në gusht 2016 gjatë një depërtimi të hakerëve në platformën e tregtimit të kriptovalutave Bitfinex në Hong Kong, e cila në atë kohë ishte zyra më e madhe e këmbimit online për konvertimin e bitcoin në dollarë dhe anasjelltas. Në atë kohë, shuma e vjedhur kapte vlerën e rreth 72 milionë dollarëve.

Autoritetet amerikane kanë konfirmuar gjithashtu arrestimin e dy personave, një burri të quajtur Ilya Lichtenstein, 34-vjeç, dhe gruaja e tij, Heather Morgan, 31- vjeçare, të dyshuar për tentativë pastrim parash, pasi fondet e vjedhura përfunduan në një portofol digjital që i përkiste Lichtenstein.

Është sekuestrimi më i madh i aseteve financiare në histori dhe rasti më i famshëm në përpjekjet e intensifikuara të shpallura së fundmi nga gjyqësori amerikan për të trajtuar aktivitetet kriminale që lidhen me kriptovalutat.

Sipas Washington Post, hetuesit monitoruan transaksionet në të cilat të dyshuarit u përpoqën të mbulonin gjurmët e parave dhe shuma e sekuestruar përfaqëson 94.000 bitcoin ose gati 80 për qind të shumës së vjedhur. Nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur me pjesën tjetër.

Top Channel