Autoklava në QSUT u vendos në vitin 2017 e cila do të trajtonte të gjitha mbetjet spitalore falë sterilizimit me avull në një një temperaturë prej 145 gradësh përgjatë një procesi, i cili zgjat 40 minuta.

Autoklava brenda QSUT u bë me investim nga Banka Botërore dhe Ministria e Shëndetësisë , përfshirë dhe gjashtë spitale të tjera me vlerë 1.5 milion dollarë.
Në këtë autoklave duhet të përpunohen 500 kg mbetje spitalore në ditë.

Por edhe kur punon kjo autoklave, tymi që nxjerr shqetëson studentet e Mjekësisë Dentare që janë ngjitur me ndërtesën e autoklavës.
Në redaksinë e emisionit Fiks Fare mbërritën video nga studentet e Mjekësisë Dentare në QSUT, të cilët studiojnë ngjitur me ndërtesën ku është e vendosur autoklava. 500 kg mbetje spitalore në ditë trajtohen duke emetuar në ajër avull dhe aromë të pakëndëshme. Nga dritaret e auditoreve studentët kanë kapur me video këtë avull që emetohet në ajër, ndërkohë që për kamerën e Fiksit tregojnë se aroma është e padurueshme dhe mjaft e rëndë. Madje ata shtojnë se era që del prej autoklavës është erë kufomash “Sa herë që digjen vjen era e rëndë. Sidomos kur digjen mbetje trupash.

Po këmbët e diabetikëve të prerë…” pohon njëri prej studentëve.

Fiksi interesohet dhe mëson se autoklava ka 10 ditë që nuk punon. Ambjentet e jashtme janë plot me poltrona dentar të prishur, në një derë të hapur ka autoklava të prishura, në fund të gjithë kësaj katrahure është vendosur autoklava e re. Ambjenti i gjithë mbizotërohet nga qeset plot me mbetje spitalore.
Gazetarët e Fiksit pyesin një punonjës që e gjejnë në këto ambjente por që i drejton të pyesin në drejtori. Pyetjes se kur vihet në punë zakonisht autoklava, punonjësi u shpreh se procesi fillon në ora 15:00 dhe zgjat deri në 06:00 të mengjesit. E gjitha kjo sipas tij bëhet që mos të shqetësohen studentët që procesin mësimorë e zhvillojnë në ambjentet e QSUT-së. Ndërkohë që për kamërën e Fiksit dhe nga videot që vetë studentët nisen drejt redaksisë së emisionit Fiks Fare, tregohet e kundërta.

Fiksi i dergoi një kerkesë zyrtare drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare ” Nënë Tereza” mbi gjendjen aktuale të autoklavës dhe nëse mund të xhironin gjatë një procesi që ajo ishte në punë. Në përgjigjen e tyre QSUT pranoi që autoklava prej disa ditësh nuk ishte në gjendje pune, por që QSUT ka marrë masa për vënien në funksion të saj.

Bisedë me një student

Fiksi – Djegia e mbeturinave spitalore, di gjë ku është?
Studenti –Djegia e mbeturinave spitalore ku është?! Shiko unë e di se digjen tek ndërtesa ngjitur
Fiksi –Vjen erë kur digjen?
Studenti –Po e rëndë fare
Fiksi –Si duroni?
Studenti –Këtu është pranë fakultetit, nuk është vetëm problemi jonë, por ka njerëz që janë edhe tek psikiatria dhe digjen. Ata mundet të reagojnë më keq se ne. Sa herë që digjen vjen era e rëndë. Sidomos kur digjen mbetje trupash.
Fiksi – Pse edhe mbetje trupash digjen këtu?
Studenti – Po këmbët e diabetikëve të prerë…
Fiksi – Uaaaa
Studenti – Mbetje mjeksore janë.
Fiksi –I djegin aty?
Studenti – Po, vjen erë e rëndë, vjen erë kufomash.

Top Channel