SHBA kërcënon Kinën për Ukrainën: Në rast pushtimi, do ta pësoni edhe ju!

08/02/2022 12:06

Dy ditë pas shtrëngimit të ngrohtë të duarve nga Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jingping, dhe show të tyre të forcimit të unitetit kundër ndërhyrjeve perëndimore, këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha se kjo i lidhte në një farë mënyre dy liderët nëse Kremlini vendos të pushtojë Ukrainën.

“ Ne besojmë se Pekini do të përballet dhe ai me kostot e pushtimit rus ; duhet ta marrin parasysh këtë kur të vendosin angazhimin e tyre me qeverinë ruse”, ishte komenti i Sullivan në emisionin e NBC “Meet the Press”, që në fakt, më shumë tingëlloi si një kërcënim. Sanksionet, nga sa pohoi zyrtari i lartë amerikan, do të kenë impakt mbi Kinën, sepse sistemi financiar rus lidhet dhe me ekonominë kineze.

“Kina do të gjendet përpara një zgjedhjeje, dhe nëse zgjedh të mos pajtohet me sanksionet kundër Moskës, atëherë do të ketë penalitete të forta dhe për të”, shtoi Sullivan.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping u takuan të premten përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike në Pekin, në një shfaqje uniteti mes marrëdhëniesh gjithnjë e më të tensionuara me Shtetet e Bashkuara. Putin njoftoi një marrëveshje të re për të siguruar 10 miliardë metër kub gaz në vit për Kinën.

Ai u shpreh i bindur se tregtia mes dy vendeve së shpejti mund të arrijë në 200 miliardë dollarë.Pavarësisht mungesës së një aleance formale mes tyre, Rusia dhe Kina janë afruar edhe më shumë në vitet e fundit teksa punojnë për të kundërshtuar ndikimin e Shteteve të Bashkuara.

Top Channel