Rikthim i hidhur i Jose Mourinhos në “San Siro”, me portugezin që u përball për herë të parë si kundërshtar me Interin në çerekfinalet e Kupës së Italisë, por në fund ishin zikaltrit ata që festuan falë fitores 2-0 dhe avancuan në finale.

Populli zikaltër nuk harron Jose Mourinhon, arkitektin e Interit të Tripletës në 2010-ën dhe një pankartë e madhe “Mirë se vjen Jose”, u shfaq në shkallët e stadiumit, teksa portugezi u shoqërua me brohorima e duartrokitje, teksa po shkonte drejt pankinës para startit të ndeshjes.

Por vetëm kaq, pasi fjalën e mori fusha dhe të besuarit e Simone Inzaghit patën nevojë vetëm për dy minuta, që të dërgonin topin në rrjetë. Një top i rikuperuar nga Perisic, me kroatin që kombinon me Sanchez dhe më pas dërgon një krosim perfekt për Dzekon, një tjetër ish në këtë sfidë, i cili nuk fali, duke dërguar topin në rrjetë.

Dhjetë minutat e para ishin të gjitha në favor të zikaltërve, që u ndalën nga traversa në një goditje të Barellës e më pas nga Rui Patricio, që priti një goditje të Skriniar brenda zonës. Më pas erdhi edhe zgjimi gradual i Romës, që kërcënoi me Zaniolon, por Handanovic bëri në mënyrë perfekte detyrën e tij, ndërsa në pjesën e dytë ishte sërish gardiani zikaltër që shpëtoi Interin me një grushtim spektakolar.

Për të mbyllur llogaritë e ndeshjes mendoi Alexis Sanchez, që u shërbye në gjysmëfushën kundërshtare, pa hapësirën që kishte përpara dhe lëshoi një “silurë” nga distanca, duke dërguar topin në trekëndëshin e portës së Rui Patricios.

Një gol për kornizë ky i kilenit, që çoi shifrat 2-0 dhe vulosi kualifikimin e zikaltërve në gjysmëfinale, pasi minutat e mbetura nuk prodhuan asgjë për t’u shënuar, përveç një dyluftimi të Kumbullës me Sanchez, që rezultoi jo pak i rrezikshëm për këtë të fundit.

Roma heq dorë kështu nga një tjetër objektiv dhe tani do t’i duhet të përkushtohet në kampionat, për të zënë një vend në kupat e Europës, ndërsa Inter do të ndjekë si spektator sfidën Milan-Lazio, për të mësuar me cilën do të përballet në gjysmëfinale.

Top Channel