Pesë gepardët e ‘plotfuqishëm’ në rezervatin Masai Mara përfundojnë në gjakderdhje pasi vrasin liderin e tufës (fotot)

08/02/2022 21:36

Një tufë e famshme prej pesë gepardësh që dominonin savanat e rezervatit natyror Masai Mara në Kenia, ka përfunduar në “vëllavrasje” pasi shumica u kthye kundër liderit të tufës duke e vrarë.

Tufa e meshkujve ‘Tano Bora’ u kthyen pa mëshirë kundër liderit Olpadan, duke i dhënë fund një prej koalicioneve më të suksesshme që rezervati kishte parë deri së fundmi.

Trupi i ish-liderit të tufës Olpadan u gjet muajin që shkoi nga një fotograf i botës së egër, i cili tha se kishte parë katër gepardët e tjerë që largoheshin nga vendngjarja.

Pesëshja e mrekullueshme përbëhej nga dy vëllezër të një familjeje dhe tre nga një klan tjetër gepardësh, dhe ishin rreth gjashtë vjeçarë në moshë.

Tufa e gjitarëve më të shpejtë të vrapimit në sipërfaqe, kishte habitur prej kohësh vizitorët me hijeshinë e tyre, shkruan rrjeti The Australian.

Partneriteti ishte gjithashtu i rrallë prej supozimeve se këta felinë të mëdhenj afrikanë gjithmonë shihen në vetmi ose maksimumi në çifte prej dy meshkujsh.

Dominimi i plotë mbi territorin dhe rivalët e tyre në parkun kombëtar, kishte tërhequr vëmendjen e fotografëve dhe imazhet janë vlerësuar në shumë konkurrime fotografike.

Parku gjendet në kufirin mes Kenyas e Tanzanisë.

Një prej fotove të tyre më të famshme është “Notimi i Madh”, foto e mrekullueshme e marrë nga Buddhilini de Soyza, ku pesëshja shihet teksa kalon me not lumin Talek, në një moment të rrëmbyer.

Ndërsa kufoma e Olpadan u gjet nga fotografi Jeffrey Wu pranë lumit Talek, teksa fotografi shtonte se kishte parë ish-shokët e gepardit të vdekur që largoheshin me “putrat e përgjakura”.

Duke postuar imazhin në Instagram, ai shkruante: “Gjetëm trupin e Olpadan pranë Olkiombo-sid, plagë të shumta në të gjithë trupin, për fat të keq ai u sulmua e u vra nga ish-shokët e tij të tufës Tano Bora.

“Kater gepardët e mbetur i gjetëm të hutuar që largoheshin nga vendi ku ishte trupi, ato hynë për të kaluar lumin Talek, me putra të përgjakura.”

Wu tha se sulmi kishte ardhur pasi lideri ishte ndarë nga tufa duke u bashkuar në koalicion me një tjetër gepard më të ri, dhe kështu u kthye në konkurent për katër ish-shokët e tij të tufës”.

Ai shtoi se gepardët meshkuj nuk tolerojnë të tjerë në zonën e tyre, edhe nëse janë ish-anëtarë të grupit të tyre.

Kujdestarë të parkut thanë se janë duke monitoruar sjelljen e grupit të ri të riemëruar tashmë Nne Bora (Katërshja e mrekullueshme) që gjithsesi mbetet përsëri koalicioni dominues i zonës, tha kryegardiani i parkut James Sindiyo.

FOTO GALERI
1/5
Një tufë e famshme prej pesë gepardësh që dominonin savanat e rezervatit natyror Masai Mara në Kenia, ka përfunduar në “vëllavrasje”

Top Channel