Merren në pyetje huliganët/ Nga dëshmitë del që 19 vjeçari u vra një i ri grek, jo nga shqiptari

08/02/2022 01:21

Nën thirrjet “vrasës bastard” janë çuar tek prokurori për të deponuar mesditën e së hënës 8 të arrestuarit e djeshëm në lidhje me vrasjen e 19 vjeçarit grek Alkis Kampanos dhe dëshmitë e tyre të para duket se kanë ndryshuar disa prej të dhënave kyçe në këtë çështje që ka tronditur opinionin grek dhe atë shqiptar, pasi në radhët e huliganëve te arrestuar, ndodhen 3 persona me origjinë shqiptare.

Sipas dëshmive të fundit të tyre thuhet se të gjithë pohojnë që vrasësi i 19 vjeçarit është një 21 vjeçar grek dhe jo 23 vjeçari me origjinë shiptare, i arrestuar disa orë pas krimit. 8 të arrestuarit kanë kërkuar dhe kanë marrë afat për të plotësuar deponimet e tyre në ditët e ardhshme të kësaj jave dhe janë rikthyer në qendrat e paraburgimit të Policisë së Selanikut.

Që të nëntë akuzohen ndër të tjera – për veprën penale të vrasjes së qëllimshme në grup, ndërsa shqyrtohet akuza në se bëhet fjalë për një organizatë kriminale. Ndërkohë në kërkim janë edhe dy persona të tjerë përfshirë 20-vjeçarin me origjinë nga Shqipëria që është larguar nëpërmjet Kapshticës në territorin shqiptar një ditë pas krimit, për të cilin pritet urdhri ndërkombëtar i arrestit.

Sipas dëshmive të para që vijnë në dritë nga deponimet sulmi i vrasjes është kryer në mënyrë të organizuar, me 11 huliganët që janë drejtuar tek vendi i ngjarjes me tre makina, prej të cilave janë zbuluar dy prej tyre. Më shumë se gjysma e të arrestuarve që janë të moshës nga 20 deri në 23 vjeç kanë pasur precedentë penal edhe në të kaluarën.

Mëngjesin e së hënës Kryeministri Mitsotakis ka thirrur një mbledhje urgjente me disa anëtarë të kabinetit për të marrë një sërë masash dhe për t’i dhënë fund dhunës së tifozëve, për të mbyllur gjithë shoqatat e tyre që janë të paligjshme që përdorin huliganë dhe persona me precedentë penal duke shkaktuar thuajse çdo javë konfrontime të dhunshme.

Vetëm në vitin e kaluar janë regjistruar në Greqi mbi 250 sulme huliganësh, janë arrestuar rreth 200 persona , por është dënuar vetëm një, ndaj dhe priten ndryshime edhe në kodin penal për këto akte dhune në stadium apo jashtë tyre.

Opinioni publik është i prekur tej mase mesditën e së hënës edhe nga lutjet e prindërve të 19 vjeçarit të vrarë, të cilët në një edicion lajmesh të kanalit shtetëror të vendit kanë bërë thirrje që të mos këtë hakmarrje në çështjen e djalit të tyre, por vetëm drejtësi.

Top Channel