Flota ruse kalon ngushticën e Bosforit, Perëndimi në alarm!

08/02/2022 15:32

Ministria ruse e mbrojtjes publikoi pamje që tregojnë anijet e flotës ruse duke kaluar në ngushticën e Bosforit dhe të Dardaneleve nga Mesdheu, në Detin e Zi për të marrë pjesë në një stërvitje masive detare, në mesin e krizës së Ukrainës.

Manovrat kanë shtuar frikën në perëndim e kanë përshkallëzuat tensionin ushtarak, teksa dhjetëra mijëra trupa ruse presin urdhrin e sulmit në kufirit ukrainas.

Pak ditë më parë, dy zyrtarë amerikanë thanë se Rusia ka grumbulluar të paktën 70% të forcave të saj ushtarake, që do t’i duheshin në rast se Presidenti rus Vladimir Putin do të urdhëronte një pushtim të plotë të Ukrainës.

Zyrtarët që folën në kushte anonimiteti paraqitën një sërë treguesish që sugjerojnë se zoti Putin po synon fillimin e një pushtimi në javët në vazhdim.

Ndërkohë avionë luftarakë rusë vazhdojnë të mbërrijnë në aerodromin ushtarak në Brest të Bjellorusisë. Avionët e tipit Su-25M janë të projektuar për të goditur objektiva tokësore dhe veprojnë në mbështetje të manovrave të njësive në tokë.

Top Channel