Fiks Fare/ “Nga qejfi e kemi”, rrëfimi i përdoruesve të drogës brenda parkut 250 mln lekë të Rilindjes Urbane në Elbasan

08/02/2022 20:42

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës shkatërrimin e Parkut Rinia në Elbasan, një investim 250 milionë lekë të reja nga Rilindja Urbane.

Megjithëse parku është bërë funksional para dy vitesh e gjysmë, ai është kthyer në strehë të përdoruesëve të lëndës narkotike dhe një banjo e madhe publike në mes të qytetit industrial.

Parku është i vetmi vend i gjelbëruar në qytet dhe është ndërtuar në vitet ’70. Ai është rikonstruktuar në vitin 2002, ndërkohë që së fundmi është rikonstruktuar në vitin 2017, ku Bashkia e Elbasanit përfitoi një grant prej 250 milionë lekësh nga Fondi i Zhvillimit të Rajonave. Projekti ka përfunduar në vitin 2019, por vetëm dy vite e gjysmë pas përurimit, parku është bërë jo funksional.

Sipas dokumenteve që disponon Fiks Fare, firma zbatuese ka qenë Bajrami-N shpk, ndërkohë që projektues të parkut ka qenë ‘Drejtoria e projektimit në Bashkinë Elbasan”. Afati i punimeve ka qenë 15 muaj, ndërkohë që parku është bërë funksional në fillim të vitit 2019. Gjithsej, sipas dokumenteve që disponon Fiks Fare, sipërfaqja e të gjithë parkut është 82 mijë e 120 metër katrorë.

Fiks Fare siguroi disa fotografi të bëra publike në momentin e investimit, ku dukej edhe maketi i cili “vizitohej” nga të moshuar dhe familje me fëmijë. Por, dy vite e gjysmë pas rindërtimit, gjendja është e mjerueshme. Kanali që duhet të funksiononte si shëtitore, është kthyer në një banjo e madhe publike. Madje, ai frekuentohet vetëm nga përdorues të lëndëve narkotike, ndryshe nga maketi i prezantuar që do të mbushej me të gjitha grupmoshat! Në mes të parkut, projektuesit kanë bërë një kanal të madh me disa “xhepa”. Këto xhepa janë kthyer në banjo të mëdha publike. Ndërkohë, nga vëzhgimi i Fiks Fare në atë vend gjen shiringa të përdoruesve të drogës.

Gazetarët e Fiks Fare biseduan me banorë të Elbasanit, të cilët thanë se parku ka qenë më mirë kur nuk ishte investuar. Sipas tyre, parku përdorej nga çdo grupmoshë, por prej 2019-ës, parku ka filluar të braktiset. “Shiko, s’ka stola për ne pensionistët. Edhe gjelbërimi ka ikur. Por skandal është ky kanali. Atje çfarë s’ka! Atje rrinë vetëm përdoruesit lëndës narkotike” pohojnë disa banorë, ndërsa të tjerë pohojnë se “e bënë për veten e tyre”.

Pas ankesave, gazetarët e Fiks Fare shkuan në kanalin në mes të parkut, i cili duhej të ishte një pikë çlodhëse për banorët vendas. Por, nga vëzhgimi rezultoi se ka mbetje ushqimore trupore, ndërkohë që gazetarët gjejnë edhe shiringa të përdorueseve të lëndëve narkotike. Vëzhgimi u bë në fillim të javës, në mes të ditës. Por, sërish gjejnë disa përdorues të lëndëve narkotike që marrin heroinë. Gazetarët bisedojmë me përdoruesit, ku njëri thotë se është 30 vjeç dhe tjetri 29. Ata thonë se kanë vite që marrin lëndë narkotike. Në momentin që gazetarët shkuan për t’i takuar, dy përdoruesit e kishin bërë gati heroinën dhe do e merrnin me shiringë. Por, pas një bisede të shkurtër, ata largohen.

***

Bisedë me dy përdorues që konsumojnë heroinë në mes të ditës në Parkun Rinia në Elbasan

Gazetari – Hë mo çuna?!
Përdoruesi 1 – Mirë, si kaluat?
Gazetari – Po merrni veten në qafë.
Përdoruesi 1 – Ça të bëjmë.
Gazetari – Sa vjeç je?
Përdoruesi 1 – 30.
Gazetari – Po ti?
Përdoruesi 1 – 29.
Përdoruesi 2 – 29.
Gazetari – Nga jeni ju?
Përdoruesi 1 – Këtu nga Elbasani.
Gazetari – Nga Elbasani?
Përdoruesi 2 – Po.
Gazetari – Po vini përditë këtu?
Përdoruesi 1 – Jo, nga njëherë kështu.
Përdoruesi 2 – Po nga njëherë kështu, nga njëherë.
Gazetari – Po punoni?
Përdoruesi 1 – Jo.
Gazetari – S’jeni në punë?
Përdoruesi 1 – Ncnc.
Gazetari – Po ku e gjeni, ku e gjeni?
Përdoruesi 2 – Po ça do bëjmë, ça do bëjmë! E kemi nga shefi i madh.
Gazetari – Nga kush?
Përdoruesi 2 – E kemi nga shefi i madh, e pimë vetë.
Gazetari – Nga qejfi?
Përdoruesi 2 – Po nga qejfi i madh.
Gazetari – Po ku i gjeni lekët që e pini?
Përdoruesi 1 – Mbledhim kanaçe.
Gazetari – Mblidhni kanaçe?
Përdoruesi 2 – Po.
Gazetari – Ça është e kuqe (heroinë) ajo?
Përdoruesi 1 – Ëëëë.
Përdoruesi 2 – Po.
Gazetari – Me çfarë e bëni, me shiringë?
Përdoruesi 1 – Po.
Gazetari – Ku e bëni?
Përdoruesi 1 – Po këtu (te krahu).
Gazetari – Në duar?
Përdoruesi 2 – Ee.
Gazetari – Sa vjet po bën ti?
Përdoruesi 1 – Hec ikim, s’na lënë rehat.
Gazetari – O djali le shiringën!
(Largohen)

FOTO GALERI
1/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA