Bashkëshorti iranian del me kokën e prerë të gruas 17-vjeçare në rrugë, pas vrasjes së radhës ‘për çështje nderi’ (fotot)

08/02/2022 16:44

Një burrë iranian ka dalë në rrugë me kokën e prerë të gruas së tij të cilën tragjikisht e kishte vrarë në ato që njihen në vend si “çështje nderi”, teka ajo kishte tentuar të largohej nga vendi.

Burri i pa identifikuar publikisht kishte vrarë bashkëshorten 17 vjeçare Mona Heydari, në qytetin jugperëndimor të Ahvaz dhe me kokën e saj të prerë kishte dalë në rrugë.

Raportimet vendase thonin se reja ishte larguar drejt Turqisë pasi familja e saj zbuloi se kishte pasur një tjetër lidhje romantike.

Por ajo ishte zbuluar në vendin e ri dhe ishte risjellë në Iran nga babai dhe bashkëshorti javës që shkoi, sic raportojnë mediat lokale.

Viktima raportohet se ishte vetëm 12 vjeçe kur ishte martuar me burrin, i cili besohet se ishte kushëriri i saj dhe kur u vra kishte një djalë tre vjeçar.

Autoritetet arrestuan bashkëshortin dhe vëllanë e tij me akuza vrasjeje, si hakmarrje për tradhtinë dhe braktisjen prej saj. Policia nuk publikoi emrat e dy vrasësve.

Pamje të rënda të publikuara në rrjetet sociale tregonin burrin që kishte dalë në rrugë me një thikë të madhe në njërën dorë, dhe me atë që besohet se ishte koka e gruas së tij në tjetrën.

Incidenti ka shokuar shumë njerëz në Iran ku mosha legale e martesës është 13 vjeçe dhe gratë janë të detyruara të zbatojnë ligjet islamike dhe të mbajnë shami koke, shkruan britanikja Daily Mail.

Mediat iraniane flisnin per tronditje dhe zemërim të gjerë në rrjetet sociale.

“Një njeriu i është prerë koka, dhe kjo është shfaqur me krenari nga vrasësi”, shkruante e përditshmja reformiste vendase Sazandegi.

“Si mund të pranohet një tragjedi e tillë? Ne duhet të veprojmë që femicidi të mos ndodhë më në vend”.

Avokati Ali Mojtahedzadeh, shkruante në gazetën Shargh, se “hapësirat ligjore po i lënë vend vrasjeve të nderit”.

Agjencia vendase ILNA citonte kolonelin e policisë Sohrab Hosseinnejad të thoshte se dy të akuzuarit kanë pranuar vrasjen gjatë marrjes në pyetje dhe janë marrë në dorëzim nga autoritetet gjyqësore.

Mediat vendase nuk dhanë detaje të mëtejshme mbi vrasjen apo personin që filmoi videon e tmerrshme.

Vrasja e Monas vjen pas disa ngjarjeve të ngjashme ku vrasjet e nderit nuk dënohen pasi familjarët nuk kërkojnë dënim maksimal për familjarin e tyre.

Në prill 2021, një burrë 50-vjeçar qëlloi për vdekje disa anëtarë të familjes së tij në qytetin e Ahvaz.

Ndërsa në qershor 2020, 19-vjeçarja Fatemeh Barahi u vra barbarisht nga bashkëshorti i saj pasi u arratis dy ditë pas martesës së detyruar.

Një zyrtar i policisë së Iranit ka thënë më herët se “vrasjet e nderit” përbëjnë rreth 20 përqind të vrasjeve në Iran.

FOTO GALERI
1/3
Një burrë iranian ka dalë në rrugë me kokën e prerë të gruas së tij të cilën tragjikisht e kishte vrarë në ato që njihen në vend si “çështje nderi”

Top Channel