Trupat amerikane zbarkojnë në Poloni/ Presion ndaj Rusisë: Gati për çdo skenar lufte

07/02/2022 08:01

Një kontigjent i madh i trupave amerikane zbarkuan në Poloni të dielën pjesë e një përforcimi për shkak të tensioneve me Rusinë, me komandantin e tyre që u shpreh se synonin të pengonin “çdo qëllim lufte” dhe të mbronin NATO-n nëse ishte e nevojshme.

Parashutistët nga Divizioni i 82-të Ajror i Ushtrisë Amerikane me bazë në Fort Bragg në Shtetet e Bashkuara u ulën rreth orës 13:00 të pasdites në Aeroportin Rzeszoë në Poloninë juglindore.

Trupat shtesë “janë këtu për të rritur gatishmërinë, ndërveprueshmërinë në të gjitha fushat me aleatët tanë polakë dhe, nëse është e nevojshme, të mbrojnë çdo pjesë të NATO-s,” u tha gazetarëve në aeroport gjenerali komandant i divizionit, Chris Donahue.

SHBA javën e kaluar njoftoi vendosjen e 3,000 ushtarëve shtesë amerikanë në Gjermani dhe Evropën Lindore, si pjesë e përpjekjeve për të shtyrë Rusinë në tërheqjen e trupave të grumbulluara në kufirin e Ukrainës.

Ministri polak i Mbrojtjes Mariusz Blaszczak tha se kontingjenti shtesë amerikan prej 1700 ushtarësh do të bazohej “në Poloninë juglindore në krahun lindor të NATO-s”.

Polonia, një vend i ish-bllokut komunist që kufizohet me Ukrainën dhe u bashkua me NATO-n në vitin 1999, tashmë pret rreth 4,500 trupa amerikane me rotacion.

Përgatitjet për ardhjet e fundit kanë vazhduar që nga java e kaluar dhe disa ushtarë zbarkuan të shtunën. Blaszczak tha se do të ketë më shumë mbërritje “në orët e ardhshme”.

SHBA ka thënë gjithashtu se do të vendosë 8,500 trupa në gatishmëri “të rritur” për dislokim të mundshëm në rast se Forca e Reagimit të NATO-s aktivizohet në përgjigje të krizës në Ukrainë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA