“Putini do të më dëgjojë”/ Macron në Moskë për krizën e Ukrainës

07/02/2022 14:46

Emmanuel Macron shpreson në arritjen e një marrëveshjeje historike për shmangien e luftës në Ukrainë.

Lideri francez e konsideron të mundur gjetjen e një kompromisi dhe përpara takimit me Vladimir Putin, përkëdheli paksa dhe egon e shefit të Kremlinit me deklaratën se është legjitime për Rusinë që të paraqesë shqetësimet e saj të sigurisë.

Pas një aktiviteti të furishëm diplomatik që përfshinte dhe bisedime me presidentin amerikan Joe Biden dhe tre telefonata me Putin, Macron zbarkon në Moskë me kërkesën për një shtensionim të situatës së nderë në kufijtë e Ukrainës dhe bindjen se shefi i Kremlinit, do ta dëgjojë.

Moska ka bërë disa kërkesa, përfshirë ato që Ukraina të mos bëhet anëtare e NATO-s dhe që aleanca të zvogëlojë prezencën ushtarake në lindje të Evropës, por perëndimi i ka hedhur ato poshtë duke ofruar tema tjera për diskutim, përfshirë zvogëlimin e armëve bërthamore.

Macron tha për  Journal du Dimanche, se objektivi i Rusisë “nuk është Ukraina, por sqarimi i rregullave me NATO-n dhe Bashkimin Europian”. Ai ka shpreson që dialogu me presidentin rus do të jetë i mjaftueshëm për të parandaluar konfliktin ushtarak, ndërsa sqaroi se dhe ai në Moskë, nuk do të lërë pa i shfaqur shqetësimet e veta.

Top Channel