Teksa SPAK ka përfunduar hetimet dhe e ka dorëzuar si të akuzuar në Gjykatën e Posaçme, ish kryetari i Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe i është drejtuar me një kërkesë të befasishme Gjykatës së Lartë, përmes të cilës synon shpalljen si të pavlefshme të disa përgjimeve që u bënë shkak për vendosjen e tij nën hetim.
I akuzuar për shpërdorim detyre, ish kryebashkiaku që u shkarkua mbas arrestimit kundërshton autorizimin e përgjimeve telefonike dhe zgjatjen e afatit të tyre në shtatë raste, duke nisur nga shtatori 2020 e në vazhdim. Bisedat që më pas u bënë publike tregojnë se si gjatë hetimit për tenderin 24 milionësh, kryebashkiaku në një rast komunikon me një shtetas të cilit i janë bllokuar ndërtimet nga një inspector e për këtë kryebashkiaku i sugjeron që ti flasë në emrin e tij.
Sa i takon tenderit për të cilin janë nën akuzë edhe 10 zyrtarë të tjerë, hetimet tregojnë se pavarësisht punimet për rehabilitimin e një kanali vaditës nuk i kreu firma fituese, por një biznesmen që ishte lidhje e ngushtë e Tushes.
Më herët ish kryebashkiaku iu drejtua edhe Gjykatës Kushtetuese, duke kundërshtuar vendimin e Këshillit të Ministrave që e shkarkoi nga detyra, por pa kaluar shumë kohë u tërhoq nga kjo padi.
Aktualisht Fatos Tushe mbahet si i paraburgosur pranë 313 dhe gjyqtarët paraprakë nuk kanë vendosur ende nëse do ta kalojnë dosjen ndaj tij për gjykim themeli apo do ta rikthejë për hetime të mëtejshme.
Top Channel